Ndërlidhjet

Protesta në SHBA kundër gjykatësit Kavanaugh


Qindra protestues kundër të emëruarit të presidentit amerikan, Donald Trump, për gjykatës të Gjykatës Supreme u arrestuan në Uashington.

Komediania Amy Schumer dhe modelja Emily Ratajkowski qenë në mesin e 302 grave që u ndaluan për protestën kundër gjykatësit Brett Kavanaugh.

Protesta nisi pasi republikanët thanë se një raport i FBI-së e ka shfajësuar atë nga akuzat për sulm seksual.

Por, demokratët thanë se hetimi pesëditësh “nuk është i plotë” sepse, sipas tyre, është kufizuar nga Shtëpia e Bardhë.

Senati mban të premten votimin procedural për Kavanaugh.

Gjasat që ai të konfirmohet me votimin e plotë në Senat të shtunën, duket se janë rritur të enjten, pasi dy republikanë, mbështetja e të cilëve do të jetë thelbësore, janë shprehur pozitivisht për hetimin e FBI-së.

Nëse konfirmohet për pozitën e përjetshme në Gjykatën Supreme të SHBA-së, Kavanaugh, 53 vjeç, do të rrisë dominimin e konservatorëve në institucionin prej nëntë anëtarësh, i cili ka fjalën e fundit për çështje të tilla si aborti, kontrolli i armëve dhe rregullat e votimit.

Me afrimin e votimit, gjykatësi e mbrojti neutralitetin e tij në një editorial për gazetën Wall Street Journal, me titull: "Unë jam një gjykatës i pavarur dhe i paanshëm".

Duke iu referuar dëshmisë së tij para Komitetit të Senatit për Drejtësi, ku ai i cilësoi akuzat kundër tij si një "goditje e orkestruar politike", Kavanaugh shkroi: "Unë e di që toni im ishte i mprehtë dhe thashë disa gjëra që nuk duhet t’i thosha".

Mijëra protestues, kryesisht gra, marshuan në Uashington, duke nisur nga Gjykata e Apelit, ku Kavanaugh kryeson aktualisht.

Policia ndërhyri pasi protestuesit u ulën pranë një zyre të Senatit dhe refuzuan të lëvizin.

Një protestë tjetër u zhvillua edhe para Kullës Trump në Nju Jork.

Christine Blasey Ford e ka akuzuar Kavanaugh për sulm seksual kundër saj, në vitin 1982, por gjykatësi e ka mohuar.

FBI nisi hetimet e së kaluarës së Kavanaugh javën e kaluar, pasi Ford dëshmoi para Komitetit të Senatit për Drejtësi.

​Agjentët federalë thuhet se kanë biseduar edhe me katër dëshmitarë për akuzat e ngritura nga një grua tjetër, Deborah Ramirez, e cila thotë se Kavanaugh i ka treguar organet gjenitale para saj, kur të dy kanë qenë studentë në Universitetin Yale. Kavanaugh i mohon edhe këto akuza.

“Hetimet nuk kanë gjetur asnjë shenjë për sjellje të keqe”, tha kryesuesi i Komitetit të Senatit për Drejtësi, republikani Chuck Grassley.

Por, senatorja demokrate, Dianne Feinstein, tha se raporti i FBI-së është "produkt i një hetimi jo të plotë".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG