Ndërlidhjet

Nis procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasje në protestat në Virxhinia

  • RFE /RL

Sot pritet të dalë para gjykatës, personi i akuzuar për ngasjen e makinës në mes të protestuesve, të cilët ishin duke marshuar kundër aktivistëve të ekstremit të djathtë, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara.

James Alex Fields, 20 vjeçar, është i akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi një person ka vdekur dhe një 19 vjeçar është lënduar.

H.R. McMaster, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se sulmi plotëson “definicionin e terrorizmit”.

Hetuesit federalë amerikanë, kanë thënë se kanë hapur një hetim për të drejtat civile, në mënyrë që të vihen në pah rrethanat që e kanë shtyrë 20 vjeçarin Fields, ta drejtojë makinën drejt turmës së njerëzve në rrugën e Sharlotsville, të Virxhinias, më 12 gusht.

Gjatë këtij sulmi ka vdekur, Heather Heyer, një 32 vjeçare, e cila është përshkruar si një avokate për drejtësi shoqërore.

Fields do të përballet edhe me tri akuza për lëndime të qëllimshme dhe një tjetër për largim nga vendi ku ka ndodhur incidenti.

Në çdo kohë që ju kryeni një sulm kundër njerëzve, për të nxitur frikë, është terrorizëm”, i ka thënë H.R. McMaster, televizionit ABC, derisa ka përshkruar ngjarjen që ka ndodhur në një qytet në Virxhnia, rreth 160 kilometra nga Uashingtoni.

Pamje të incidentit tregojnë se si një makinë, e cila ishte në një shpejtësi tejet të madhe, ka lënduar shumë persona, përpara se të përplasej drejt dy makinave të tjera.

Makina më pas është kthyer sërish mbrapa duke lënduar njerëz të tjerë.

Zyrtarë policorë, kanë thënë se vdekja e dy trupave shtetërorë të Virxhninas gjatë rrëzimit të një helikopteri, ka qenë po ashtu e lidhur me protestat.

Zëdhënësja e policisë shtetërore në Virxhnia, Corinne Geller ka thënë se piloti dhe një pasagjer, kanë vdekur gjatë rrëzimit të helikopterit.

Zyrtarë nga Universiteti i Qendrës Mjekësore në Virxhinia, kanë thënë se nga 19 personat që janë trajtuar aty pas incidentit, 10 prej tyre tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nëntë të tjerë janë liruar.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, ka thënë se, “dhuna dhe vdekjet në Sharlotsville, godasin në zemër të ligjit dhe drejtësisë amerikane”.

Guvernatori i Virxhnias, Terry McAuliffe, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë vend dhe ka shtuar numrin e trupave të Gardës Kombëtare, për ta ruajtur sigurinë, pas konfliktit që ka nisur në mes të nacionalistëve të racës së bardhë dhe kundërshtarëve të tyre.

Shumë kundërshtarë të nacionalistëve të racës së bardhë janë mbledhur për të protestuar, një ditë pas shpërthimit të dhunës, për t’i kundërshtuar nacionalistët, që ndryshe njihen edhe si supremacistë.

As në Sharlotsville e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka vend për nacionalistët e racës së bardhë dhe neo-nazistët, që kanë ardhur dje në vendin tonë të bukur”, ka thënë, McAuliffe, në mesin e duartrokitjeve, derisa u ishte drejtuar një grumbulli besimtarësh afrikano-amerikanë, në Malin Zion, ku gjendet kisha e parë afrikane baptiste.

Zyrtarë në Sharlotsville, kanë miratuar marshin e ekstremit të djathtë më 12 gusht, në të cilin protestohej vendimi i qytetit për largimin e statujës së Gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i ushtrisë, gjatë Luftës Civile amerikane.

Mirëpo leja e marshit është tërhequr, pas përleshjeve të mëngjesit të 12 gushtit.

Njeriu që kishte organizuar marshin e ekstremit të djathtë, Jasson Kessler, ka tentuar të mbajë një konferencë për media më 14 gusht, mirëpo qindra njerëz kanë bërtitur me daulle dhe instrumente kundër tij, duke e detyruar të largohet nga foltorja.

Trump përmes një mesazhi në Twitter, u ka bërë thirrje njerëzve për bashkim dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të dhunës.

Mirëpo shumë demokratë, që njihen si aktivistë të të drejtave civile, dhe disa republikanë, e kanë kritikuar presidentin Trump, për mosdënim të disa grupeve nacionaliste të racës së bardhë, që ishin pjesë e protestës, duke përfshirë neo-nazistët dhe anëtarët e grupit, Ku Klux Klan (KKK).

Në mesin e këtyre kritikave, Shtëpia e Bardhë, ka nisur një email drejt gazetarëve, duke sqaruar se çfarë ka nënkuptuar presidenti Trump me postimin e tij në Twitter.

Presidenti e ka thënë shumë fuqishëm në deklaratën e tij më 12 gusht, se ai dënon çdo formë të dhunës, fanatizmit dhe urrejtjes. Natyrisht, që në të përfshihen nacionalistët e racës së bardhë, KKK, neo-nazistët dhe të gjitha grupet tjera ekstremiste. Ai ka bërë thirrje për bashkim kombëtar, duke kërkuar bashkimin e të gjithë amerikanëve”, është thënë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG