Ndërlidhjet

Çka është puna e gjelbër dhe çfarë shkathtësish kërkon?


Punëtorët instalojnë panele diellore në Weinbourg, Franca Lindore. Fotografi ilustruese.
Punëtorët instalojnë panele diellore në Weinbourg, Franca Lindore. Fotografi ilustruese.

Reuters

Derisa shkencëtarët alarmojnë gjithnjë e më shumë për ndikimet e përshpejtimit të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të natyrës, nevoja për të transformuar ekonominë globale për të përdorur energji të pastër dhe për të ripërdorur burimet natyrore po bëhet gjithnjë e më urgjente.

Por, për ta bërë këtë, do të duhet ta ndryshojmë mënyrën se si punojmë.

Ekonomistët thonë se ka mundësi të mëdha për të vepruar shpejt për të hequr gradualisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile, për të reduktuar emetimet e ngrohjes së planetit, për të mbrojtur pyjet dhe kafshët e egra dhe për të ricikluar materialet.

Politikat për të lëvizur bizneset dhe konsumatorët në një rrugë më të qëndrueshme, këtë dekadë, mund të krijojë dhjetëra miliona vende pune të gjelbra, thonë studimet.

Por, një faktor kyç që e pengon ekonominë e gjelbër, sipas ekspertëve të tregut të punës, është mungesa globale e aftësive të nevojshme për ta ndërtuar atë, të cilat aftësi nuk kuptohen dhe promovohen keq.

Çfarë është një punë e gjelbër?

Perceptimet e zakonshme për punët e gjelbra përfshijnë instaluesit e paneleve diellore, turbinat e erës dhe pompat e nxehtësisë ose ata që punojnë në rezervatet natyrore. Por, në fakt, kjo fushë është shumë më e gjerë.

Sektori i automjeteve elektrike, për shembull, kërkon që minatorët të sigurojnë metalet, punëtorët dhe inxhinierët e linjës së montimit për të bërë makinat dhe skuterët, mekanikët për t'i mirëmbajtur ato dhe planifikuesit urban për të projektuar sisteme të gjelbra të transportit.

Video nga arkivi: Gentiana Alija Shala, inxhiniere e elektroteknikës, është gruaja e parë në Kosovë që udhëheq një kompani në sektorin e energjisë së ripërtërishme.

Zotësia e gruas për një Kosovë më të gjelbër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Sipas platformës LinkedIn, punët e gjelbra janë profesione që kërkojnë njohuri të gjera të aftësive të gjelbra, si konsulenti diellor dhe menaxheri i qëndrueshmërisë, por ato përbënin vetëm një për qind të punësimeve globale më 2021.

Në një raport të vitit 2022, LinkedIn foli gjithashtu për "gjelbërimin e punëve" (9 për qind e punësimeve) dhe "gjelbërimin e punëve potenciale” (40 për qind e punësimeve), të cilat i përcakton si ato që mund të kryhen pa “aftësi të gjelbra”, por zakonisht kërkojnë njohuri të tyre.

Nga të dyja, punonjësit e "punës së gjelbër" kanë një intensitet më të lartë të aftësive të gjelbra. Shembujt përfshijnë teknikët e ngrohjes dhe ajrit të kondicionuar, menaxherët e logjistikës dhe punëtorët e ndërtimit.

Çfarë aftësish nevojiten për një punë të gjelbër?

Ekziston një ndërgjegjësim në rritje midis qeverive dhe bizneseve se adoptimi i një stili jetese më të shëndetshme dhe me më pak ndotëse, do të kërkojë ndryshime të mëdha në pothuajse çdo sektor ekonomik - nga ushqimi te moda dhe nga pylltaria te financat.

"Tani për tani, ne po mendojmë për këtë grup vërtet specifik të gjërave që quhen punë të gjelbra - dhe vërtet ajo që duhet të mendojmë është se si mund ta bëjmë çdo punë diçka që është pjesërisht e gjelbër", thotë Nick Pesta, bashkëpunëtor në RMI, një institut kërkimor për tranzicionin e energjisë me bazë në SHBA.

Kjo do të kërkojë një nxitje të madhe në aftësitë e gjelbra, të cilat mundësojnë qëndrueshmërinë mjedisore të aktiviteteve ekonomike dhe mund të shpërndahen në një gamë të gjerë profesionesh ekzistuese dhe të reja.

Shembujt përfshijnë zbutjen e ndotjes dhe parandalimin e mbetjeve, restaurimin e mjedisit, prokurimin e qëndrueshëm, prodhimin dhe menaxhimin e energjisë dhe llogaritjen e emetimeve të karbonit.

LinkedIn thotë se pjesa e "talentit të gjelbër" - që do të thotë anëtarë që kanë shtuar në mënyrë të qartë aftësitë/shkathtësitë e gjelbra në profilin e tyre dhe/ose janë duke punuar në një punë të gjelbër - është në rritje, nga 9.6 për qind sa ishte në vitin 2015, gjashtë vjet më vonë, në vitin 2021, është rritur në 13.3 për qind.

Por, talenti i gjelbër po rritet me një ritëm më të ngadaltë sesa postimet e punës që kërkojnë aftësi të gjelbra, shton ai.

Ekspertët bëjnë thirrje për veprim urgjent nga qeveritë, kompanitë dhe institucionet arsimore për t'i trajnuar brezat e vjetër dhe të rinj për fuqinë punëtore të gjelbër që do t'i duhet botës.

"Mundësitë përfshijnë të qenët një biznes më konkurrues, elastik në treg, si dhe mbështetjen e punonjësve për të qenë më të lumtur dhe më produktivë", shpjegon Nicole Sherwin, nënkryetare e lartë për këshillimin dhe strategjinë ekzekutive të klientëve në agjencinë e vlerësimit të qëndrueshëm të biznesit EcoVadis.

Vendet ku po rriten me shpejtësi punët e gjelbra

Pesë punët e gjelbra me rritjen më të shpejtë nga viti 2016 në 2021, sipas LinkedIn, ishin menaxherët e qëndrueshmërisë - me 30 për qind rritje vjetore - ndjekur nga tekniku i turbinave me erë, konsulenti diellor, ekologu dhe specialisti i shëndetit dhe sigurisë mjedisore.

Për aftësitë e gjelbra, moda e qëndrueshme ishte rritja më e shpejtë në nivel global - nga dizajnerët dhe stilistët deri te tregtarët - duke u rritur me një mesatare prej 90 për qind në vit për të njëjtën periudhë.

Shembuj të tjerë janë ekspertiza në pastrimin e derdhjeve të naftës, shërbimet mjedisore etj.

Derisa punët e gjelbra dhe njerëzit me aftësi të tilla janë të përhapura në pjesën më të madhe të botës, ato priren të përqendrohen në vende më të pasura, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Australia.

Megjithatë, vendet e punës në ekonomitë e mëdha në zhvillim, si India, Brazili, Afrika e Jugut dhe Indonezia, gjithashtu mbështeten më shumë në aftësitë e gjelbra sesa mesatarja globale.

Një studim i vitit 2023 i dhjetë ekonomive nga Forumi Ekonomik Botëror llogariti se për të përmbushur objektivat e tyre mjedisore, ato vende - Australia, Brazili, Britania, Kina, Gjermania, India, Japonia, Afrika e Jugut, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara - kërkojnë të paktën 12 milionë vende pune të gjelbra më shumë - ose një rritje prej 66 për qind.

Nevoja më e madhe e paplotësuar është në bujqësi dhe pylltari me 11 milionë vende pune, tha ai, me sektorë të tjerë kyç duke përfshirë infrastrukturën me 480.000 vende pune, qeverinë me 160.000 dhe energjinë me 50.000.

Ekziston, gjithashtu, një hendek global gjinor - me meshkujt më shumë gjasa të kenë aftësi të gjelbra sesa femrat, diçka që mezi ka ndryshuar vitet e fundit. Në vitin 2021 kishte vetëm 62 gra për çdo 100 burra të konsideruar si talent të gjelbër, sipas LinkedIn.

Shqetësimet e tjera përfshijnë faktin se shpesh ka një mospërputhje midis zonave ku minierat e karburanteve fosile ose termocentralet po mbyllen dhe industritë e reja të energjisë së pastër po shfaqen, pasi kjo e bën më të vështirë për punëtorët kalimin nga njëra në tjetrën.

Edhe cilësia e disa vendeve të punës është vënë në pikëpyetje, veçanërisht në vendet në zhvillim me nivele të larta të punësimit informal.

Për shembull, në Indi, puna e ndërtimit në centralet diellore është shpesh e përkohshme, duke i lënë vendasit me pak mundësi të punëve afatgjata.

Përgatiti: Erjonë Popova
XS
SM
MD
LG