Ndërlidhjet

LDK-ja dorëzon kallëzim penal për punësimet në KEK  


Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit që janë bërë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Shkëmb Manaj, koordinator i Departamentit për rend dhe ligj në LDK, ka thënë se partia në pushtet ka kapur institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike.

“Ky kallëzim penal është një thirrje në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë në konkursin e fundit të KEK-ut. Dhe, ky kallëzim penal është një thirrje për drejtësi për të gjithë kandidatët, të cilëve u janë shkelur të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës” , ka thënë Manaj.

Debati për dyshime për punësime partiake dhe familjare nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur të hënën, më 05 prill, pas punësimit të 128 kandidatëve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Kjo Korporatë më herët kishte shpallur konkurs për 150 vende të punës, në të cilin kishin aplikuar 4,668 kandidatë. KEK-u, më 5 prill, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se janë përzgjedhur kandidatët për 128 pozita, ndërsa 17 pozita nuk janë plotësuar.

Por, mediat lokale në Kosovë, kanë njoftuar se në këtë konkurs janë punësuar familjarë të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas kësaj edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 05 prill, ka konfirmuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në këtë korporatë.

Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Korporata Energjetike e Kosovës është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Asetet e kësaj korporate janë në pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Paga mesatare në këtë kompani është rreth 700 euro.

XS
SM
MD
LG