Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita përplasen për aksionet në veri


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Në seancën e 19 tetorit të Kuvendit të Kosovës, partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për aksionet ne veri si dhe për çështjen e gazsjellësit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se në veri të Mitrovicës nuk ka siguri.

Duke folur në Kuvend për dy aksionet e njësive speciale të Policisë së Kosovës lidhur me zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë dhe për luftimin e kontrabandës, Haradinaj ka thënë se Kosova pas këtyre dy aksioneve është më e dobët në këtë pjesë të vendit.

"Kemi parë dy operacione policore në veri të vendit, dhe pas këtyre dy operacioneve ka ndodhur përkeqësim i gjendjes sa i përket rendit dhe ligjit në siguri dhe dobësim i shtetit ligjor. Pas dy herëve që ka operuar Kosova në veri me policinë e vetë, të dy herët kemi dalë të dobët”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani se kurdoherë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

"Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Millan Radojeçiq. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminelë, nuk e rrezikon veriun policia. Fjala e deputetit Haradinaj është sulm ndaj moralit të policit", tha Kurti.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për reagimet e opozitës lidhur aksionet e zhvilluara në veri të Mitrovicës. Ajo ka përgënjeshtruar akuzat e partive opozitare që këto aksione janë bërë qëllimshëm në prag të zgjedhjeve lokale.

Kusari-Lila ka thënë se këto aksione janë vazhdim i punës së mirë të qeverisë.

“Punët e Qeverisë dhe Kuvendit nuk presin, ato duhet të vazhdojnë pa marrë parasysh procesin zgjedhor lokal. Ky kabinet qeveritar gjatë këtij procesi zgjedhor dha edhe një shembull dhe një standard të ri për pjesëmarrje në zgjedhje lokale. Prej mosshfrytëzimit të resurseve qeveritare deri tek mesazhi dhe korrektësia politike, gjë e paparë deri më tani në Kosovë”, tha Kusari-Lila.

Javën e kaluar autoritetet në Kosovë ndërmorrën një aksion anti-kontrabandë në disa komuna të vendit përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut. Ky operacion është përcjellë me protesta të dhunshme të serbëve lokalë. Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve janë lënduar 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.

Tensionet e javës së kaluar pasuan ato të muajit shtator kur veriu i Kosovës u bllokua nga serbët lokalë pasi aty u vendosen forcat speciale të Kosovës për të garantuar zbatimin e masës së reciprocitetit në çështjen e targave të automjeteve me Serbisë.

Kosova dhe Serbia ranë dakord në Bruksel më 30 shtator për një zgjidhje të përkohshme që përmes letrave ngjitëse të qarkullojnë veturat e njëra tjetrës në të dyja vendet.

Çështja e gazsjellësit

Tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur në kundërshtime nga partitë opozitare në Kosovë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka folur për refuzimin e marrëveshjes për gazin.

Sipas tij, një ndër shtyllat kryesore me të cilat matet dhe vlerësohet serioziteti i një shteti, është edhe aftësia për të respektuar marrëveshjet ku janë të përfshira qeveritë paraprake me palët e jashtme.

“Kemi bindjen e plotë që një vendim i tillë dëmton rëndë interesat tona shtetërore dhe interesat gjeostrategjike të miqve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë të SHBA-ve. Nëse qeveria nuk e rishqyrton urgjentisht vendimin e saj të gabuar, Kosova mund të përfundoj si shteti i vetëm në rajon pa qasje në gaz dhe me pozitë tejet të vështirë në rrugën e saj për subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, tha Selmanaj.

Nga MCC-ja thanë për Radion Evropa e Lirë se "vendet partnere udhëheqin me përzgjedhjen, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve” të mbështetura nga korporata".

Zëdhënësi i MCC-së, Marc Rockwell-Pate, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë tha se “MCC-ja mirëpret që të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Kosovës, ndërsa ne punojmë për të ulur varfërinë dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike”.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator ka njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG