Ndërlidhjet

Putin bën betimin në një ceremoni të bojkotuar nga Perëndimi


Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë ku Vladimir Putin u betua si president i Rusisë.
Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë ku Vladimir Putin u betua si president i Rusisë.

Vladimir Putin u betua të martën si president i Rusisë - për herë të pestë.

Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë u bojkotua nga shumica e vendeve perëndimore, kryesisht për shkak të luftës së tij në Ukrainë.

Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë rusë dhe personalitete të tjera, por munguan përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Putin, 71 vjeç, ka qeverisur herë si president e herë si kryeministër i Rusisë që nga viti 2000.

Nëse e çon deri në fund mandatin e ri 6-vjeçar, ai do ta tejkalojë udhëheqjen gati 30-vjeçare të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, për t’u bërë udhëheqësi më jetëgjatë rus në më shumë se dy shekuj.

Putin garoi në zgjedhjet presidenciale të marsit - kur i fitoi mbi 87 për qind të votave - pasi miratoi një sërë reformash kushtetuese në vitin 2020, të cilat i dhanë mundësinë të garonte edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare.

Kjo nënkupton se ai mund të mbetet në pushtet deri në vitin 2036.

Zgjedhjet ruse kontrollohen nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta, por Qeveria i sheh të nevojshme për të përcjellë një ndjenjë legjitimiteti.

“Ne sigurisht që nuk i konsideruam ato zgjedhje as të lira dhe as të drejta, por ai është president i Rusisë dhe ai do të vazhdojë në këtë cilësi”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përpara inaugurimit.

Zgjedhjet ishin të parat prej se Putin filloi pushtimin e Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022. Dy kandidatë që ishin kundër kësaj lufte, nuk u lejuan të konkurronin kundër tij për, siç u tha, çështje teknike.

Ndërkohë, armiku i tij më i madh politik, Aleksei Navalny, vdiq derisa ishte në një burg në Siberi, një muaj përpara se të mbaheshin zgjedhjet.

“Lufta, vrasjet politike, varfërimi i rusëve... Nuk ka prosperitet për Rusinë, nuk ka paqe dhe liri për qytetarët tanë”, shkroi e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, në një postim në rrjetet sociale, më 7 maj.

“Vendi ynë po udhëhiqet nga një gënjeshtar, një hajdut dhe një vrasës. Por, kësaj padyshim që do t’i vijë fundi”, shtoi ajo.

Pushtimi rus i Ukrainës bëri që marrëdhëniet midis Moskës dhe Perëndimit të bien në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës u angazhuan në mbështetje të saj me armatim e logjistikë, ndërsa Rusinë e ndëshkuan me një sërë sanksionesh.

Duke folur pasi bëri betimin, Putin tha se nuk do ta përjashtonte dialogun me Perëndimin, por, sipas tij, ai do të duhej të zhvillohej në “kushte të barabarta”.

“Ne jemi një popull i bashkuar dhe i shkëlqyeshëm. Së bashku do t’i kapërcejmë të gjitha pengesat, do t’i realizojmë të gjitha planet tona dhe do të fitojmë”, tha Putin.

“Ne besojmë se izolimi i Rusisë, e veçanërisht i liderit të saj kriminal, duhet të vazhdojë”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, teksa shpjegoi vendimin e vendit të tij për të bojkotuar ceremoninë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG