Ndërlidhjet

Putin urdhëron armëpushim në Ukrainë gjatë Krishtlindjes ortodokse, Kievi refuzon


Presidenti rus Vladimir Putin.
Presidenti rus Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar forcat e armatosura ruse që të zbatojnë një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit me trupat ukrainase, më 6 dhe 7 janar, për festën e Krishtlindjes ortodokse.

Në urdhrin e tij, të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit, më 5 janar, Putin ka thënë se armëpushimi do të fillojë në mesditë, më 6 janar dhe do të zgjasë deri në mesnatë, më 7 janar.

Ai i ka bërë thirrje Kievit që të respektojë këtë hap, për t’iu mundësuar civilëve që banojnë përgjatë vijës së kontaktit t’i vizitojnë kishat në prag të Krishtlindjes dhe të kremtojnë festën.

Kievi e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Këshilltari i presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak tha: “Mbajeni hipokrizinë tuaj për vete”.

Ukraina “nuk sulmon territore të huaja dhe nuk vret civilë”, por “shkatërron vetëm anëtarët e ushtrisë okupuese në territorin e saj”, shkroi Podolyak në Twitter.

Ai shtoi se një “armëpushim i përkohshëm” do të jetë i mundur vetëm kur Rusia të largohet nga territori që ka pushtuar në Ukrainë.

Urdhri i Putinit për armëpushim erdhi pasi më herët gjatë 5 janarit, lideri shpirtëror i Rusisë, Patriarku Kirill, bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi gjatë Krishtlindjes ortodokse, që festohet këtë javë.

Kisha Ortodokse Ruse përdor kalendarin e vjetër Julian dhe feston Krishtlindjet më 7 janar.

Këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak, e hodhi poshtë thirrjen e Kirill si një “kurth cinik dhe element propagande”.

Përkujtojmë se kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, më parë e justifikoi luftën si pjesë e “luftës metafizike” ruse për të parandaluar “sulmin ideologjik liberal nga Perëndimi”.

Më herët, gjatë së enjtes, presidenti rus i tha homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, se është i hapur për dialog me Ukrainën nëse Kievi pranon se territoret e pushtuara nga Moska janë territore ruse, njoftoi Kremlini.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Ankarasë, Erdogan i kërkoi Putinit shpalljen e armëpushimit “të njëanshëm” në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG