Ndërlidhjet

Qalibaf: Epoka e përgjigjeve proporcionale ndaj sulmeve amerikane ka marrë fund

Kryeparlamentari iranian, Mohammad Baqer Qalibaf. Fotografi nga arkivi.
Kryeparlamentari iranian, Mohammad Baqer Qalibaf. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka paralajmëruar se Irani do t’u përgjigjet më fuqishëm çdo sulmi të mëtejshëm ndaj interesave dhe sigurisë së tij, duke thënë se epoka e “përgjigjeve proporcionale” ka marrë fund.

Duke folur gjatë një seance të hapur parlamentare më 6 shtator, Qalibaf tha: “Çdo agresion ndaj interesave dhe sigurisë së Iranit do të marrë një përgjigje më të shpejtë, më të fuqishme dhe më të dhimbshme”.

Qalibaf foli një ditë pasi ushtria amerikane tha se kishte goditur dhe shkatërruar tri cisterna iraniane të naftës pranë ishujve Harg dhe Jask, si dhe në Gjirin e Omanit.

Komanda Qendrore e ushtrisë së SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet erdhën si përgjigje ndaj sulmeve me raketa balistike të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ndaj dy anijeve luftarake amerikane, sulme nga të cilat nuk pati viktima amerikane.

Komandanti i CENTCOM-it, Brad Cooper, paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme iraniane ndaj anijeve amerikane do të përballen me kosto më të mëdha ekonomike dhe shkatërrimin e cisternave iraniane të naftës.

Ministria e Jashtme e Iranit i dënoi sulmet amerikane si “të paligjshme dhe agresive”, ndërsa një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya – komanda qendrore ushtarake e Iranit – paralajmëroi se sulmet ndaj ushtrisë amerikane mund të intensifikohen dhe zgjerohen nëse vazhdon bllokada detare.

Më herët gjatë 6 shtatorit, IRGC-ja pretendoi se sulmoi një dron detar amerikane që po përpiqej të hynte në Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit është rrugë kyç për dërgesat detare pasi para se të niste lufta në fund të shkurtit, nëpër këtë rrugë ujore kalonte rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit.

XS
SM
MD
LG