Ndërlidhjet

Qeveria britanike shpall gjendjen e thatësirës në disa pjesë të vendit


Temperaturat pritet të arrijnë 35 gradë celcius në disa zona të Britanisë së Madhe deri të premten pasdite.
Temperaturat pritet të arrijnë 35 gradë celcius në disa zona të Britanisë së Madhe deri të premten pasdite.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të premten deklaroi zyrtarisht gjendjen e thatësirës në disa pjesë të Anglisë, pas muajve me reshjeve të pakta dhe temperaturave rekord në javët e fundit.

Agjencia e Mjedisit e qeverisë britanike bëri të ditur se "pragu i shkaktimit të thatësirës ishte arritur" në tetë rajone të Anglisë teksa në raport shkruhej se vendi po përjetonte sezonin më të thatë që nga viti 1935.

Moti i thatë dhe temperaturat e larta kanë bërë që edhe Franca të përballet gjithashtu me një thatësirë rekord teksa po lufton me zjarre të mëdha.

Autoriteti meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar, tha se gjatë periudhës nga janari deri në qershor të këtij viti u regjistruan reshjet më të pakta në Angli dhe Uells që nga viti 1976.

Në deklaratën e qeverisë thuhet se marrja e vendimit për të shpallur statusin e thatësirës bazohej në faktorë të tillë si reshjet, rrjedhat e lumenjve dhe nivelet e ujërave nëntokësore dhe rezervuarëve dhe ndikimi i tyre në furnizimin publik me ujë.

"Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të menaxhojnë sasinë e ujit që po përdorin në këtë periudhë jashtëzakonisht të thatë," deklaroi kryetari i Grupit Kombëtar të Thatësirës, Harvey Bradshaw.

Agjencia e Mjedisit dhe kompanitë e ujit "do të shtojnë masat e tyre për të menaxhuar ndikimet" dhe do të vazhdojnë me planet e tyre të publikuara për thatësirën, duke përfshirë racionimin e ujit.

Ai theksoi se "furnizimet thelbësore të ujit të pijshëm janë të sigurta".

Qendra Kombëtare e Informacionit për Klimën tha se temperatura të tilla të larta në Mbretërinë e Bashkuar ishin të mundshme vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

XS
SM
MD
LG