Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për paga  


Një prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për pagat, që sipas ekzekutivit, krijon sistem të unifikuar të pagave për të gjithë personat që paguhen nga buxheti i shtetit.

“Ne jemi siguruar që të zvogëlohet dukshëm dallimi në mes pagës më të lartë dhe asaj më ulët, nga 20 herë sa është sot, në 4.78 herë midis kreut të shtetit dhe zyrtarit më thjeshtë në hierarkinë shtetërore”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Çka parasheh projektligji i pagave?

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Në total janë 18 koeficiente.

Në projektligjin e miratuar më 23 nëntor, nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se "vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”.

Raporti i koeficienteve është 1:18.

Kuvendi i Kosovës, në fund të muajit të kaluar, ka miratuar Ligjin për buxhetin, por nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mospërfshirjen e koeficientit në buxhetin e vitit 2023, e kanë konsideruar “mashtrim” .

Koeficientet

Koeficienti më i lartë, 18, sipas projektligjit, i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.

Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.

Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6

Në fund të gushtit të këtij viti, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë kanë mbajtur grevë në kërkim të miratimit të këtij projektligji.

Për pasojë, procesi mësimor ka nisur me një muaj vonesë.

Shoqëria civile kundër uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryeministri Kurti ka thënë përgjatë mbledhjes qeveritare se është marrë vendim që të ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, para datës se hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017, për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka thënë Kurti.

Më 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, paga vjetore e një gjyqtari dhe prokurori në Kosovë varion nga 15 deri në 30 mijë euro.

Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.

XS
SM
MD
LG