Ndërlidhjet

Qeveria subvencionon pajisjet efiçiente për ngrohje për qytetarë


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Fotografi ilustruese.

Nga sot (6 tetor) e deri më 20 tetor, qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje nga Qeveria. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur, në një konferencë për media të mbajtur sot, se për këtë skemë janë ndarë gjashtë milionë euro.

Ajo ka thënë se përmes kësaj skeme synohet jo vetëm të ulet çmimi në fatura, por edhe të rriten gjasat për furnizim të rregullt me energji.

“Secili veprim për kursim të energjisë është jo vetëm kursim për konsumatorët dhe buxhetin e shtetit, por edhe i rrit gjasat për furnizim të rregullt me energji, andaj ftoj qytetarët të aplikojnë për këtë skemë dhe të shfrytëzojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të kursyer energji elektrike gjatë këtij dimri”, u shpreh Rizvanolli.

Përmes uljes së konsumit, ajo ka thënë se po synohet të uljet nevoja për import, që mund t’i kushtojë Kosovës 316 milionë euro. Megjithatë, kjo shifër është bërë sipas parashikimeve për prodhim dhe kërkesë dhe çmimeve aktuale, të cilat mund të ndryshojnë.

Aplikimi për këtë skemë bëhet përmes platformës E-Kosova, ku fillimisht duhet të plotësohet një formular e pastaj të dorëzohet edhe fatura, në mënyrë që të përfitohet nga subvencionimi.

Për kaldajat me biomasë – dru, pelet, briket – qeveria do të subvencionojë deri në 70% të investimit, për pompat termike deri në 30%, për kondicionerët efiçientë deri në 40% dhe për stufat individuale me biomasë deri në 90% për qytetarët që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale dhe deri në 70% për qytetarët e tjerë.

E pyetur nëse këto masa kanë ardhur me vonesë pasi që shumë qytetarë kanë bërë investimet për këtë dimër, Rizvanolli tha se me këto masa synohet të ndihmohen ata që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë zgjidhje deri tani.

“Masat që po i përkrahim shpresojmë që do të shfrytëzohen në radhë të parë nga familjet që s’kanë pasur mundësi të bëjnë zgjidhje deri tani dhe këto duhet dhe janë targeti primar i secilës ndërhyrje të qeverisë”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi.

XS
SM
MD
LG