Ndërlidhjet

Qindra të arrestuar në një operacion global kundër krimit


Pjesëtarë të FBI-së - foto arkivi
Pjesëtarë të FBI-së - foto arkivi

Agjencitë e zbatimit të ligjit thanë se kanë arrestuar qindra kriminelë në të gjithë botën.

Operacioni trevjeçar, i konceptuar bashkërisht nga Australia dhe FBI-ja amerikane, është kryer duke përdorur një aplikacion të sigurt për mesazhe.

Aplikacioni ANOM është shpërndarë midis kriminelëve, duke i mundësuar policisë t’i monitorojë bisedat e tyre pa dijeninë e tyre.

Autoritetet thanë se kanë kryer arrestime në 18 vende.

"Informacionet kanë çuar gjatë javës së fundit në qindra operacione të zbatimit të ligjit në një shkallë globale, nga Zelanda e Re në Australi, në Evropë dhe SHBA", tha Jean-Philippe Lecouffe, zëvendësdrejtor i operacioneve në agjencinë evropiane të policisë, Europol.

"Më shumë se 800 arrestime, më shumë se 700 vende të kërkuara, më shumë se 8 tonelata kokainë të konfiskuara", shtoi ai.

Të arrestuarit përfshijnë të dyshuar që lidhen me mafian dhe grupet e organizuara kriminale.

Armë dhe para janë konfiskuar gjithashtu.

Australia tha se ka arrestuar 224 persona si rezultat i operacionit dhe se ka vepruar kundër 20 “kërcënimeve për vrasje”, duke shpëtuar potencialisht jetën e “një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të pafajshëm”.

Kryeministri Scott Morrison tha se operacioni ka goditur bandat kriminale globalisht.

Zelanda e Re, e cila ndaloi 35 persona, e cilësoi operacionin si “aksionin më të sofistikuar në botë kundër krimit të organizuar”.

XS
SM
MD
LG