Ndërlidhjet

Mbi 300 të vdekur nga vërshimet në Afganistan, thotë OKB


Njerëz shihen në afërsi të shtëpive të dëmtuara nga vërshimet në Afganistan, 11 maj 2024.
Njerëz shihen në afërsi të shtëpive të dëmtuara nga vërshimet në Afganistan, 11 maj 2024.

Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur dhe mbi 1.000 shtëpi janë shkatërruar, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha të shtunën një agjenci e OKB-së.

Programi Botëror i Ushqimit tha se është duke shpërndarë ushqim për të mbijetuarit në njërën prej shumë pjesëve të goditur nga vërshimet në veri të Afganistanit.

Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten.

Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

Një burrë ec pranë shtëpisë së vet të dëmtuar nga vërshimet në provincën Baghlan në veri të Afganistanit, 11 maj 2024.
Një burrë ec pranë shtëpisë së vet të dëmtuar nga vërshimet në provincën Baghlan në veri të Afganistanit, 11 maj 2024.

Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.

Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.

Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.

Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.

Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.

Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu.

XS
SM
MD
LG