Ndërlidhjet

Të habitur dhe të mashtruar: Qytetarët rusë përballë pushtimit të Ukrainës


Aktivisti Dmitry Skurikhin protestoi i vetëm (që lejohet sipas ligjeve në Rusi) me një pano kundër luftës me Ukrainën në Shën Petersburg më 24 shkurt. Në tabelën e tij shkruhet: Ndalo, bastard fashist, kthehu. Mbishkrimi prapa thotë: Paqe Ukrainës, Liri Rusisë.
Aktivisti Dmitry Skurikhin protestoi i vetëm (që lejohet sipas ligjeve në Rusi) me një pano kundër luftës me Ukrainën në Shën Petersburg më 24 shkurt. Në tabelën e tij shkruhet: Ndalo, bastard fashist, kthehu. Mbishkrimi prapa thotë: Paqe Ukrainës, Liri Rusisë.

Mëngjesin e 24 shkurtit, rusët - sikurse pjesa tjetër e botës - u zgjuan me lajmet se vendi i tyre kishte pushtuar Ukrainën, një vend fqinj me të cilin miliona rusë kanë lidhje të ngushta familjare.

Këto zhvillime ndodhën pas disa muajsh grumbullimi ushtarak, gjatë të cilëve shoqëria ruse ishte e heshtur, nxitur nga mosbesimi dhe e mbushur me frikën e hakmarrjes nga Qeveria e presidentit Vladimir Putin, që ka intensifikuar shtypjen ndaj mospajtimit dhe shoqërisë civile gjatë vitit të kaluar.

“Unë jam kundër çdo lufte, veçanërisht me Ukrainën”, tha një burrë në qytetin jugor, Rostov, kur u pyet për vendimin e Putinit për të sulmuar Ukrainën.

“Nuk mund të gjykoj sepse nuk isha aty, por ata duhet të kishin bërë gjithçka që ishte e mundur për të ruajtur paqen”, tha ky burrë për Current Time.

Një grua në të njëjtin qytet tha se ajo “e sheh luftën si diçka negative”.

“Por, meqenëse na kanë detyruar, mendoj se presidenti ynë po bën gjithçka në mënyrë korrekte”, tha ajo, para se t’i kthehej gazetarit dhe ta pyeste: “Këtë doje të dëgjoje?”.

Pak para fillimit të pushtimit, sociologu Aleksei Levinson i Agjencisë së pavarur të sondazheve ‘Levada Center’, tha për Radion Evropa e Lirë se opinioni publik në Rusi, dominohej prej “frikës nga lufta”, që megjithatë nuk ishte në nivelin e “ndjenjës kundër luftës”.

Aktivistja Katerina Novikova duke protestuar me një pano me mbishkrimin "Asnjë luftë"
Aktivistja Katerina Novikova duke protestuar me një pano me mbishkrimin "Asnjë luftë"

Current Time është rrjeti në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës

“Në Rusi, ne nuk po shohim manifestime publike të ndjenjave kundër luftës”, tha ai.

“Nuk ka demonstrata apo diçka të tillë. Ka deklarata individuale në mediat sociale, por ato vijnë kryesisht nga ato grupe sociale, prej të cilave edhe mund të priten reagime të tilla”, tha ai.

Ai shtoi se shumë rusë ishin të bindur se një luftë kundër Ukrainës do të ishte e shkurtër dhe nuk do të përfshinte një numër të madh viktimash.

“Ata nuk kanë frikë nga lufta sepse mendojnë se ajo nuk do të bëhet në territorin rus”, tha ai.

“Deri më tani, ata nuk mendojnë se (lufta kundër Ukrainës) do të shoqërohet me humbje masive”.

Sipas një sondazhi të publikuar më 23 shkurt, tri e katërta e rusëve mbështesnin vendimin e Putinit për të njohur entitetet separatiste në Ukrainën lindore, ndërsa gati katër e pesta mbështesnin vendimin e presidentit për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ta - hapa këta që i prinë rrugës drejt luftës.

Megjithatë, më 24 shkurt, demonstrata të vogla kundër luftës u zhvilluan në qytete anembanë Rusisë.

“Unë dola sot sepse nuk dua të jem pjesë e një vendi agresor”, tha Dmitry Grunin, një qytetar në Omsk, për Radion Evropa e Lirë Siberia.

Disa protestues në qytetin Kaliningrad në Rusi mbanin pano me mbishkrime kundër luftës, pasi presidenti rus, Putin, autorizoi një “operacion ushtarak” në Ukrainë të enjten më 24 shkurt 2022.
Disa protestues në qytetin Kaliningrad në Rusi mbanin pano me mbishkrime kundër luftës, pasi presidenti rus, Putin, autorizoi një “operacion ushtarak” në Ukrainë të enjten më 24 shkurt 2022.

“Dua të jetoj në një vend normal, një vend që është paqësor dhe i orientuar drejt së ardhmes”, tha ai.

Pavarësisht reshjeve të borës, avokati Denis Rudenko, qëndroi i vetëm në Saratov, me një tabelë në dorë ku shkruante: “Putini është një kriminel lufte”.

Marina Litvinovich, gazetare dhe aktiviste që vepron në Moskë, bëri thirrje për protesta masive në të gjithë Rusinë, duke u përpjekur të rrisë entuziazmin për “rusët kundër luftës”.

“Unë e di që tani shumë prej jush po përjetoni ndjenja dëshpërimi dhe pafuqie për sulmin e Vladimir Putinit kundër një populli që është miqësor ndaj nesh”, tha ajo në një video-deklaratë.

“Por, unë ju bëj thirrje që të mos dëshpëroheni dhe ju bëj thirrje që sonte në orën 19:00, të dilni në sheshet kryesore të qytetit tuaj për të thënë qartë se ne, populli i Rusisë, jemi kundër kësaj lufte që ka krijuar Putini...mos kini frikë”, tha ajo më tej.

Kjo ishte një nga thirrjet e pakta për protesta masive që janë dëgjuar në Rusi.

Menjëherë pasi Litvinovich postoi videon, ajo u ndalua nga policia jashtë shtëpisë së saj.

Një person u arrestua nga policia të enjten në Moskë gjatë një proteste kundër luftës. Rusia nisi një operacion masiv ushtarak kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022.
Një person u arrestua nga policia të enjten në Moskë gjatë një proteste kundër luftës. Rusia nisi një operacion masiv ushtarak kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022.

Në një intervistë për Meduza - media e fokusuar në Rusi - drejtori i Qendrës Levada, Denis Volkov, tha se Kremlini i ka bindur me mjeshtëri shumë rusë se agresioni rus kundër Ukrainës nuk është midis Rusisë dhe Ukrainës, por midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Amerika është fajtore për gjithçka”, tha ai, duke parafrazuar narrativën e paraqitur nga zyrtarët dhe mediat shtetërore.

“Nuk është Ukraina, por Amerika dhe Perëndimi. Ata po e shtyjnë Ukrainën për një komplot kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe Moska duhet t’u vijë në ndihmë, sepse ata flasin rusisht dhe me pak fjalë, janë njerëzit tanë”, tha ai.

CNN-i publikoi një sondazh më 23 shkurt, sipas të cilit 50 për qind e rusëve u pajtuan se do të ishte i pranueshëm përdorimi i forcës ushtarake në Ukrainë “për të parandaluar anëtarësimin e Kievit në NATO”, ndërsa vetëm 25 për qind thanë se një gjë e tillë do të ishte gabim.

Përveç kësaj, shoqëria civile në Rusi ka ndryshuar shumë që nga viti 2008, kur Rusia zhvilloi një luftë të shkurtër me Gjerogjinë ose më 2014 kur Moska pushtoi rajonin ukrainas të Krimesë dhe nxiti luftën separatiste në pjesë të Ukrainës lindore.

Në mars dhe shtator të vitit 2014, dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë në demonstrata të mëdha duke kundërshtuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Demonstratat u udhëhoqën nga liderët e opozitës, si Boris Nemtsov – i cili u qëllua për vdekje jashtë Kremlinit në shkurt të vitit 2015 – dhe Aleksei Navalny, i cili u arrestua në janar të vitit të kaluar.

Media të pavarura dhe organizata të tjera, janë penguar ose janë mbyllur duke u cilësuar si “agjentë të huaj” dhe “organizata të padëshiruara”.

Aktivistë dhe disa gazetarë, janë frikësuar ose janë detyruar të largohen nga vendi. Analistët thonë se autoritetet ruse injorojnë raportimin e mediave, të cilat janë në shënjestër të qeverisë.

Më 24 shkurt, Agjencia shtetërore për monitorimin e mediave në Rusi, Roskomnadzor, urdhëroi mediat ruse që raportimin për pushtimin e Ukrainës ta mbulojnë “vetëm me informacione dhe faktet e marra nga burimet zyrtare ruse”, duke i kërcënuar me gjoba ose me bllokim.

“Për popullin rus, çdo formë e retorikës kundër luftës nënkupton rrezik, të paktën mund ta humbësh punën”, tha për Current Time, gazetari Kirill Martynov, para pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Më e keqja që mund të ndodhë, rrezikon lirinë ose jetën. Për momentin, nuk ka asnjë masë kritike në shoqërinë ruse që do të ishte e gatshme ta rrezikonte jetën”, tha ai.

Në mediat sociale, shumë rusë liberalë kanë shpërndarë kundërshtimet e tyre.

“Është shumë vonë për të vendosur fletushka”, shkroi gazetarja me bazë në Moskë, Varya Gornostayeva.

“Vendi ynë duhet të shpëtojë veten, të mbrohet nga ky i çmendur që do të na varrosë të gjithëve nën rrënoja. Dhe, ne duhet ta mbrojmë Ukrainën, ku jetojnë miqtë tanë, të afërmit dhe njerëzit që nuk i kemi konsideruar kurrë armiq. Ne kemi një armik – Putinin”.

“Ne, rusët, Rusia, nuk do ta lajmë kurrë këtë turp”, shkroi aktivisti, Valery Solovei. “Ky vendim fatal është marrë në përputhje me mungesën tonë të rezistencës”.

Përgatiti: Taulant Qenaj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG