Ndërlidhjet

Rama dhe Abazoviq takojnë Zelenskyn


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Foto nga konferenca për media në Kiev, 15 qershor 2022.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Foto nga konferenca për media në Kiev, 15 qershor 2022.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kanë miratuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës e mbështesin Ukrainën në marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.

“Në deklaratë thuhet se duhet të merren vendime politikisht të guximshme në samitin e ardhshëm të BE-së për të gjitha vendet tona në rrugën e tyre evropiane, për hir të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet në postimin e Abazoviqit në Twitter.

Kryeministrat Rama dhe Abazoviq kanë takuar pasditen e 15 qershorit, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.

Rama ka publikuar në rrjetin Facebook një video nga takimi me Zelenskyn.

Në këtë takim është lidhur me video edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Pas takimit, në konferën e përbashkët për media, Rama përmendi edhe Kosovën.

“... Ballkani Perëndimor ka dhe një vend të gjashtë, Kosova, të cilën nuk e ka njohur Ukraina, por pavarësisht kësaj po bënë saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë më sanksione dhe mbështetjen e plotë”.

Veç presidentit ukrainas, Rama dhe Abazoviq kanë takuar edhe kryeministrin e këtij shteti, Denys Shmyhal.

Ata mbërritën në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, paraditen e së mërkurës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryeministrat Dritan Abazoviq dhe Edi Rama shfaqen të rrethuar nga forca të shumta të sigurisë teksa vizitojnë qytetin Borodianka në afërsi të Kievit.

“Menjëherë pas mbërritjes sonë, vizituam qytetin e Borodiankas, një qytet i shkatërruar në fillim të pushtimit. Jemi dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta. Ne lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe u qëndrojmë pranë qytetarëve të Ukrainës”, thuhet në postimin e Abazoviqit në Twitter.

Në një postim tjetër në Twitter, kryeministrat e dy shteteve të Ballkanit shihen duke vizituar edhe qytetin Irpin.

“Ne vizituam qytetin Irpin, ku u shkatërruan 1100 familje. Shumica e qytetarëve u larguan nga shtëpitë e tyre, infrastruktura u rrënua …Ne simpatizojmë Ukrainën, për humbjen e shumë jetëve dhe vuajtjeve që po kalojnë prej muajsh. Paqja është e paçmueshme”, shkruan Abazoviq

Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga ky vend që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

XS
SM
MD
LG