Ndërlidhjet

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën


Haradinaj: Demarkacioni aktual është gabim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

"Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t'i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë". Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.

Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi?

Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër.

Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t’i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend.

Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t’i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit?

Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim...edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t'i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t'i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik?

Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile.

Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t’i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën.

Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit.

Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës.

Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë.

Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t’i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t’i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka.

Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues.

Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi.

Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin?

Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë.

XS
SM
MD
LG