Ndërlidhjet

PE kërkon nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut


Salla plenare e parlamentit evropian në Strasburg. Foto nga arkivi.

Parlamenti Evropian miratoi të enjten me shumicë dërrmuese dy raportet për procesin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Dy progres raportet vlerësojnë përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Parlamenti Evropian i kërkon Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit me këto dy vende, duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj ndaj Ukrainës. Euro-deputetët i bëjnë thirrje BE-së të vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historikisht të rëndësishme të sigurisë të një vendimi të tillë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor.

Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në BE sapo u miratua nga seanca plenare e Parlamentit Evropian me shumicë dërmuese. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, shkroi Santos.

Raportuesja e PE-së për Shqipërinë, Isabel Maria Santos gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.

Parlamenti Evropian vlerëson gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të forcuar sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e pakicave, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e administratës së saj publike dhe konsolidimin e lirisë së medias. Raporti gjithashtu vë në dukje rreziqet e rritjes së varësisë ekonomike dhe energjetike nga Kina dhe Rusia, dhe paralajmëron se varësia nga kreditë e investimeve të financuara nga Kina rrit cënueshmërinë e rajonit.

Sofja, në nëntor të vitit 2020 përdori veton për të bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë se gjuha dhe identiteti i saj deri para vitit 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”, si dhe pakica bullgare që jeton në Maqedoninë e Veriut të jetë pjesë e Kushtetutës së këtij vendi.

XS
SM
MD
LG