Ndërlidhjet

Raportohet për dhunë në Afganistan


Militantët talibanë në Ghazni të Afganistanit më 15 Gusht 2021.

Në Kabul të Afganistanit janë dëgjuar të shtëna me armë derisa militantët talibanë dhunshëm kanë ndalur një protestë në Afganistanin lindor. Incidentet raportohen derisa fuqitë e huaja po vëzhgojnë çdo veprim të talibanëve për të kuptuar nëse janë duke përmbushur premtimet dhe kanë lënë prapa praktikat e shkeljes brutale të të drejtave të njeriut.

Qindra njerëz u larguan nga vendi i shkatërruar nga lufta më 18 gusht ndërsa trupat amerikane dhe britanike mbikëqyrnin një evakuim masiv të njerëzve.

Shumë prej këtyre personave kanë punuar me forcat e huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara gjatë dy dekadave të luftës.

Pamjet e videove të publikuara shfaqen disa militantë në kryeqytet duke fshikulluar njerëzit që po përpiqeshin të arrinin në aeroport, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna me armë.

Gjatë një rrëmuje në aeroportin e Kabulit janë plagosur 17 persona më 18 gusht, i ka thënë agjencisë Reuters një zyrtar i sigurisë i NATO-s.

Ndërkohë dhjetëra njerëz u mblodhën në qytetin lindor të Xhalalabadit për të ngritur flamurin kombëtar një ditë para Ditës së Pavarësisë së Afganistanit përmes së cilës shënohet fundi i sundimit britanik më 1919.

Këta persona e ulën flamurin talibanë të cilin militantët e kanë ngritur në zonat që pushtuan.

Pamjet më vonë treguan talibanët që gjuanin në ajër dhe sulmonin njerëzit me shkopinj për të shpërndarë turmën.

Një zyrtar lokal i shëndetësisë tha se të paktën një person u vra dhe gjashtë u plagosën. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat, prandaj foli në kushte anonimiteti, raporton AP.

Pas marrjes nën kontroll të kryeqytetit, Kabul, që pasoi një ofensivë të ashpër në gjitha provincat afgane nga ana e talibanëve, Qeveria afgane e mbështetur nga perëndimi u rrëzua dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga vendi.

Talibanët thanë më 17 gusht se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse-brenda vlerave të Islamit. Ata u zotuan se nuk do të hakmerreshin kundër kundërshtarëve dhe se do të respektonin të drejtat e grave brenda kornizës së ligjit islam.

XS
SM
MD
LG