Ndërlidhjet

MSH: 21 viktima dhe mbi 1.200 raste të reja me COVID-19


Një punëtor shëndetësor pastron dorezat, para se të kryejë një test me metodën PCR. Fotografi nga arkivi.
Një punëtor shëndetësor pastron dorezat, para se të kryejë një test me metodën PCR. Fotografi nga arkivi.

Njëzetenjë viktima të reja nga koronavirusi janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, ka njoftuar të shtunën (4 shtator) Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.

Sipas raportit, 12 nga viktimat ishin të gjinisë mashkullore dhe 9 të gjinisë femërore.

Shtatë viktima ishin të grupmoshës 70-79 vjeç, 3 viktima i përkisin grupmoshës 80 vjeç e më të vjetër, aq sa u regjistruan edhe në grupmoshën 60-69 vjeç. Ndërkaq, 5 viktima i përkisnin grupmoshës 50-59 vjeç ndërsa nga një viktimë u shënua në grupmoshat 20-29, 30-39 dhe 40-49 vjeç.

Autoritetet shëndetësore kanë regjistruar edhe 1.278 persona të infektuar me koronavirusin e ri. Shifra është publikuar pas testimit të 10.609 mostrave.

Nga kjo shifër, i bie që 12 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë për koronavirus.

Sa i takon infektimeve, më së shumti raste janë regjistruar në grupmoshën 30-39 vjeç, përkatësisht 260 të infektuar.

Mjekët kanë konfirmuar si të shëruar nga COVID-19 edhe 1.248 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 122.140.

Raste aktive janë 26.534.

Më herët Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha më 4 shtator se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.171 pacientë, prej tyre 1.044 janë të konfirmuar me koronavirus.

Një ditë më parë ishin raportuar 1.209 pacientë. Pra, të shtunën 38 pacientë më pak po trajtohen në këto institucione shëndetësore.

Sipas raportit ditor, 73 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 978 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha të premten se nuk e përjashtohet mundësia e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.

Deri më 4 shtator, në Kosovë janë vaksinuar mbi 306.000 persona me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq në total janë administruar mbi 900.000 doza.

XS
SM
MD
LG