Ndërlidhjet

Hovenier: SHBA dënon veprimet e autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri


Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara i “dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

Ai ka theksuar se “masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë".

Reagimi i ambasadorit Hovenier vjen pas aksioneve të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Edhe senatori amerikan, Chris Murphy, i cili vizitoi Kosovën këtë javë, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur “ndonjë plan për të hyrë në këto komuna”.

"Si një mik i Kosovës jam zënë në befasi dhe ai [Albin Kurti] duhet ta ndalojë këtë provokim menjëherë”, shkroi Murphy në Twitter.

Ai shtoi se zyrtarët "kanë teknikisht të drejtë të kenë qasje në këto objekte", por, sipas tij, në këtë situatë të tensionuar, ky është një "provokim i qëllimshëm dhe hap i panevojshëm".

Hyrja e Policisë së Kosovës në objektet komunale, është bërë përkundër rezistencës së grupeve të qytetarëve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bombat, për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth tyre.

Ambasadori Hovenier, edhe më 18 maj, deklaroi se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG