Liderët nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut, pas aksidentit me autobus në Bullgari, ku vdiqën të paktën 46 persona.
Një autobus, që po bartte udhëtarë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, u dogj në orët e para të 23 nëntorit, teksa po udhëtonte në një autostradë afër Sofjes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë autoritetet maqedonase pas aksidentit në Bullgari.
“Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shpreh gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për tragjedinë në Bullgari.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Zoran Zaev.
“Me mosbesim dhe pikëllim mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve të autobusit në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Serbia është me ju, e gatshme për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme, sepse nuk jeni vetëm në këtë tragjedi”, ka shkruar Vuçiq.
Edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq përmes një telegrami ngushëllimi drejtuar Pendarovskit ka thënë se shteti i tij ndan “dhimbjen me popullin maqedonas për jetët e humbura tragjikisht, në mesin e tyre edhe fëmijë”.
“Ju lutemi përcillni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimet më të mira për pasagjerët e mbijetuar për shërim të shpejtë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka shprehur ngushëllimet për “qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mbi humbjen tragjike të jetës sot në aksidentin me autobus dhe në zjarrin në një shtëpi kujdesi”, duke shtuar se uron që të lënduarit të shërohen sa më shpejt.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka shprehur ngushëllimet për familjarët e personave që vdiqën në “aksidentin tragjik me autobus” dhe tha se Evropa është në solidaritet “me ju”.
Ndërkaq, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi e quajti “tragjik” aksidentit me autobus në Bullgari.
“Lajme të tmerrshme lidhur me aksidentin tragjik në Bullgari në orët e para të mëngjesit. Mendimet dhe ngushëllimet e mia për familjarët dhe miqtë e atyre që vdiqën dhe për popullin dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Varhelyi në Twitter, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Autoritetet bullgare kanë thënë se ende nuk dinë shkaqet e aksidentit, ndërkaq besohet se me autobusin e kompanisë BesaTrans po udhëtonin 53 persona. Pasagjerët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll.