Ndërlidhjet

Reagimet pas dorëheqjes së Haradinajt


Dorëheqja e Ramush Haradinajt ka nxitur reagimet e partive politikë në pushtet dhe në opozitë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t'i mbrojtur vlerat e UÇK-së”.

Duke komentuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj pas ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, Veseli, tha se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe jam i sigurt se ndershmëria e luftës së popullit tonë për liri e pavarësi ka për t’u vërtetuar sërish”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili ishte në partneritet qeverisës me partinë e Ramush Haradinajt, e ka konsideruar të padrejtë ftesën nga Gjykata Speciale për Haradinajn.

"Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, është një ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së", ka thënë Limaj.

Ai ka theksuar se "fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës! Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe drejtësia do të ngadhënjejë edhe në këtë rast", është shprehur Limaj.

Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli,e ka quajtur gjest burrështetasi veprimin e Haradinajt.

"Veprimi i kryeministrit Haradinaj është një gjest burrështetasi dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së", ka shkruar Pacolli në Facebook.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se Haradinaj dhe Qeveria e tij është dashur të japin dorëheqje, por ka shprehur keqardhje për arsyen që çoi deri te ky vendim.

"LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo Qeveri të japë dorëheqje, por ndjejmë keqardhje që kjo ndodh për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara, të Kryeministrit të Kosovës. Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe po ashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe", ka shkruar Mustafa.

Ndër të parët që ka reaguar pas dorëheqjes së Haradinajt ishte Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në opozitë. Ai e ka cilësuar këtë si dorëheqje të vonuar dhe me arsye të gabuar.

“Moti është dashur të japë dorëheqje. p.sh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur më 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje 'Ahtisaari Plus' me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, ka pasur edhe reagime të tjera të deputetëve të partive politike, por edhe ambasadorë të Kosovës në vende të ndryshme, ndërsa deri më tash nuk ka pasur një reagime nga Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, i cili është edhe kryetar i Komunës së Prishtinës.

XS
SM
MD
LG