Ndërlidhjet

Rebelimi i Wagnerit shpërfaqi dobësi “të thella” të Rusisë


Pjesëtarë të Wagnerit.
Pjesëtarë të Wagnerit.

Rebelimi i grupit mercenar rus, Wagner dhe liderit të tij, Yevgeny Prigozhin kundër udhëheqësisë së Rusisë - teksa zhvillohet lufta në Ukrainë - ka shpërfaqur “dobësi të thella” të sistemit rus të sigurisë, kanë thënë ekspertët perëndimorë.

Rebelimi mund të dobësojë edhe moralin e ushtarëve rusë në front të luftës, sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington.

“Rebelimi i Prigozhinit ka shpërfaqur dobësi të thella në Kremlin dhe Ministrinë ruse të Mbrojtjes”, është thënë në raport.

Sipas raportit, marrëveshja e negociuar nga udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, që Prigozhin duhet të shkojë në Bjellorusi, ofron vetëm zgjidhje afatshkurtër.

Instituti ka vlerësuar se mercenarët e Wagnerit do të mund të arrinin në paralagje të Moskës, nëse Prigozhin do t’i lejonte.

Ky veprim, është thënë në raport, ka vënë në pah mungesën e rezervave të ushtrisë ruse.

“Rebelimi i Prigozhinit e ka ilustruar që forcat ruse kanë mungesa në shumë aspekte dhe ka shumë mundësi që kjo situatë të ulë moralin e personelit rus në Ukrainë”.

Forcat ukrainase mund ta përdorin këtë njohuri teksa “tentojnë të thyejnë mbrojtjen ruse”.

Instituti ka thënë, po ashtu, se me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Lukashenko, Wagner me siguri nuk do të ekzistojë si grup i pavarur në krye me Prigozhinin, por disa pjesë do t’i bashkohen Ministrisë së Mbrojtjes.

Mes tjerash, Instituti ka vlerësuar se ideja që udhëheqësi bjellorus të ndalojë avancimin ushtarak drejt Moskës, përbën përçmim për presidentin rus, Vladimir Putinin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG