Ndërlidhjet

Të ashtuquajturat referendume të Rusisë hyjnë në ditën e dytë


Një person duke votuar në të ashtuquajturat referendume ruse për bashkimin e rajoneve të Ukrainës që kontrollohen nga forcat e saj, në Sevastopol, Krime. 23 shtator 2022.
Një person duke votuar në të ashtuquajturat referendume ruse për bashkimin e rajoneve të Ukrainës që kontrollohen nga forcat e saj, në Sevastopol, Krime. 23 shtator 2022.

Katër rajone ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska, kanë hyrë në ditën e dytë të të ashtuquajturave referendume për bashkim me Federatën Ruse.

Këto referendume, që Perëndimi i konsideron të paligjshme, kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.

Politikanët e instaluar nga Moska, kanë bërë të ditur se referendumet për t’iu bashkuar Rusisë mbahen në Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja - të gjitha në juglindje të Ukrainës.

Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Votimi bie ndesh me statutin e OKB-së dhe zhvillohet mes pretendimeve të disa zyrtarëve lokalë se votuesit po kërcënohen dhe frikësohen.

Në rajonet ku po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë nuk ka vëzhgues të pavarur.

Të katër rajonet përfaqësojnë rreth 15 për qind të Ukrainës, ose një zonë sa territori i Hungarisë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në një postim në Facebook se Rusia në terren "nuk ka ndalur sulmet ndaj infrastrukturës civile dhe shtëpive të civilëve".

Ata thanë se gjatë natës qyteti i Mykolaivit iu nënshtrua zjarrit me raketa nga pushtuesit rusë, por ende nuk janë raportuar viktima.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi botës të dënojë "pseudo-referendumet" që synojnë të aneksojnë tokat e Ukrainës.

“Bota do të reagojë absolutisht ndaj pseudo-referendumeve, ato do të dënohen pa mëdyshje”, tha Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit, më 23 shtator.

Në Uashington, presidenti amerikan, Joe Biden, dënoi këtë akt dhe paralajmëroi më shumë sanksione për Moskën.

"Referendumet e Rusisë janë një mashtrim - një pretekst i rremë, që tentojnë të aneksojnë pjesë të Ukrainës me forcë - në shkelje flagrante të Ligjit ndërkombëtar", tha Biden më 23 shtator.

Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se SHBA-ja është e përgatitur të vendosë sanksione shtesë ekonomike ndaj Rusisë, në hap me aleatët, nëse Moska përpiqet të aneksojë më shumë territor të Ukrainës.

Liderët e vendeve të G7 kanë publikuar një deklaratë përmes të cilës dënojnë të ashtuquajturat referendumet e Rusisë në katër rajonet ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska.

"Ne nuk do t'i njohim kurrë këto referendume, që duket se janë një hap drejt aneksimit rus, dhe nuk do ta njohim kurrë një aneksim të supozuar nëse ndodh”, thuhet në deklaratën e 24 shtatorit.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 21 shtator se do të mbahen përgjegjës liderët e Rusisë “dhe të gjithë personat e përfshirë për këto referendume dhe veprime tjera që shkelin Ligjin ndërkombëtar në Ukrainë”.

“Referendumet e rreme në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, nuk kanë legjitimitet dhe do të jenë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha NATO përmes një deklarate më 22 shtator, një ditë para nisjes së votimeve.

Të ashtuquajturat referendume, u shpallën me nxitim këtë javë, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi më 21 shtator - atë që ai e ka quajtur mobilizim të pjesshëm ushtarak.

Zyrtarët ukrainas thanë se njerëzve u ndalohej të largoheshin nga katër rajonet ku po mbahet i ashtuquajturi referendum rus, deri në përfundimin e votimit pesë-ditor. Ata po ashtu thanë se grupet e armatosura ruse po shkonin derë më derë për t'i detyruar njerëzit të votonin dhe punonjësit i kërcënuan me humbjen e vendeve të punës, nëse nuk merrnin pjesë në votim.

Nikolai Bulaev, zëvendësshef i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi, ka thënë se pret që “qindra mijëra” ukrainas që tashmë janë në Rusi, të marrin pjesë në këto të ashtuquajtura referendume.

Rusia nuk njihet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të drejta, pasi shpesh ka pasur raportime në media për mashtrime dhe manipulime. Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ku shumë pak vende i kanë pranuar rezultatet e votimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG