Ndërlidhjet

Referendumi i Katalonisë çon Spanjën në krizë


Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, përballet me krizën më të madhe kushtetuese në disa dekada, pasi referendumi për pavarësi i Katalonisë i ka hapur këtij rajoni dyert për ndarje.

Referendumi i së dielës, i shpallur jokushtetues nga autoritetet spanjolle, është shoqëruar me dhunë, pasi policia spanjolle ka përdorur forcën për të bllokuar votimin.

Dhunë e përleshje në Kataloni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Mbi 800 njerëz janë plagosur, dhjetëra janë arrestuar, por, në fund të ditës, zyrtarët katalanas, duke shpallur rezultatet, kanë thënë se 90 për qind e votuesve kanë zgjedhur të lënë Spanjën.

Të hënën, rrugët e Barcelonës, kryeqytetit katalanas, kanë qenë të qeta, por editorialet në gazeta vlerësojnë se referendumi do të sjellë përplasje të reja.

Po hyjmë në një fazë të grevave dhe protestave në rrugë, me më shumë lëvizje, me më shumë shtypje”, shkruan gazeta katalanase La Vanguardia.

Qeveria spanjolle ishte pa nevojë e vrullshme dhe e dhunshme në trajtimin e referendumit të Katalonisë. Tani është koha të flitet me qetësi”, shkruan në anën tjetër gazeta britanike Times.

Katalonia është qendër e industrisë dhe turizmit të Spanjës dhe përbën një të pestën e ekonomisë së saj. Rajoni është bazë e prodhimit për shumë kompani multinacionale, nisur nga Volkswagen deri te Nestle.

Udhëheqësi katalanas, Carles Puigdemont, tha të dielën vonë se votuesit kanë fituar të drejtën për pavarësi nga Spanja.

Në këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalonisë kanë fituar të drejtën për shtet të pavarur në formë të republikës”, tha Puigdemont në një fjalim televiziv.

Por, kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka fuqi kushtetuese për ta shkarkuar qeverinë rajonale dhe për ta vënë Kataloninë nën kontrollin qendror deri në zgjedhje të reja.

Një gjë e tillë, siç vlerëson agjencia Reuters, do t’i rriste tutje tensionet në rajonin me 7.5 milionë banorë, që ka kulturën dhe gjuhën e vet, ndërsa mund ta dëmtojë edhe ekonominë e brishtë të Spanjës.

Bankat kryesore të investimeve kanë thënë se presin që kriza të zgjidhet me një ofertë nga Rajoy për më shumë autonomi në Kataloni.

Rajoy tha se është i gatshëm për diskutime politike, porse dialogu duhet të zhvillohet “brenda ligjit”.

Propozoj që të gjitha partitë politike me përfaqësim parlamentar të takohen dhe të reflektojnë mbi të ardhmen”, tha Rajoy.

Mbi 40 sindikata dhe asociacione të Katalonisë kanë thirrur për të martën greva për shkak të, siç është thënë, “shkeljeve të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut”.

Marrëdhëniet e komplikuara të Spanjës me rajonin e Katalonisë po hyjnë në rrugë të panjohura, thuhet në një analizë të BBC-së.

Pas dhunës nga policia spanjolle, shpallja e pavarësisë nga qeveria rajonale e Katalonisë duket më e mundshme se kurrë më parë, vlerëson BBC.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG