Ndërlidhjet

Politika shihet si frenuese e reformave në drejtësi


Një gjykatë në Prishtinë. Foto nga arkivi.

Politika mbetet frenuesi kryesor i reformave në sistemin e drejtësisë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që monitorojnë organet e drejtësisë. Rrjedhimisht, thonë ata, sistemi i drejtësisë është shndërruar në një degë të pushtetit ekzekutiv.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial në aspektin e funksionimit, operimit dhe llogaridhënies është tërësisht i pavarur nga politika, por sipas tij, në praktikë nuk ka arritur ta ruajë pavarësinë.

"Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial nuk ka arritur që ta ruajë këtë pavarësi, duke sjellë sistemin në një gjendje ku praktikisht politika e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe duke e shndërruar të njëjtin në një degë të pushtetit ekzekutiv”, thotë ai.

Kjo gjendje, sipas Miftarajt, ka ndikuar që sistemi i drejtësisë në Kosovë të mos përmbush misionin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, trajtimin e lëndëve të qytetarëve në çështjet civile dhe administrative brenda afateve të arsyeshme kohore.

“Kjo ka sjellë një gjendje ku sistemi i drejtësisë është kthyer në shkelësin më të madh të drejtave dhe lirive të njeriut", shprehet Miftaraj.

Bazuar në ndarjen e pushteteve, Miftaraj thotë se politika do të duhej të rrinte larg sistemit të drejtësisë.

"Kjo ka mundësi të arrihet nëse ka vullnet politik dhe qëllim të mirë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë që objektiv ka qytetarin dhe të drejtat e tij dhe në asnjë mënyrë interesat e politikës dhe grupeve të interesit. Në fazën në të cilën sot gjendet Kosova, kjo nuk mund të arrihet pa një proces të vettingut i cili duhet të pastrojë sistemin e drejtësisë nga korrupsioni, joprofesionalizmi dhe politika", tha Miftaraj.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, janë duke pamundësuar luftën kundër korrupsionit në Kosovë duke shkaktuar, sipas saj, edhe ngecje të tjera në ketë mekanizëm. E gjithë kjo situatë, thekson ajo, ka ndikuar që besimi i publikut në sistemin e drejtësisë të bie ndjeshëm.

"Konsiderojmë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vuan nga ndikimi politik dhe kjo mbetet një nga brengat kryesore në proceset reformuese dhe në procesin integrues. Qeveria e kaluar nuk ka bërë asnjë hap konkret në drejtim të një reforme përmbajtjesore në sundimin e ligjit dhe rrjedhimisht nuk kemi pasur asnjë rast konkret në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimit të performancës së sektorit të drejtësisë", tha ajo.

Loxha tha se sistemi i drejtësisë në vend ka probleme të shumta. Sipas saj, pos reformave të thella, edhe çështja e verifikimit, apo siç njihet ndryshe me termin si “vetting”, është shumë i domosdoshëm.

"Konsiderojmë se vettingu mbetet mjeti i vetëm me te cilin mund të reformohet sistemi i drejtësisë, pra të pastrohet nga individë që janë të ndikuar politikisht dhe jo profesionistë dhe që nuk kanë pastërti të figurës dhe të rritet rrjedhimisht niveli i besimit në këto institucione, duke u rritur performanca dhe efiqenca e sistemit të drejtësisë", tha Loxha.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet - Çohu, thotë se pritjet e shoqërisë për reformën në sistemin e drejtësisë janë të mëdha nga qeveria e ardhshme. Por, sipas tij, për të pasur sukses një reformë në drejtësi, matja e performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve është më se e domosdoshme.

"Momentalisht, në sektorin e sistemit të drejtësisë, çështja që më së shumti çalon është çështja e matjes së performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe pse ekzistojnë dispozita ligjore e njëkohësisht ekzistojnë edhe komisionet brenda Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, që ishte dashur të merreshin me matjen e performanës, kjo nuk po ndodh", tha Demhasaj.

Në studimet e organizatave të ndryshme vendore, thuhet se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ndryshojë për të kthyer besimin e qytetarëve.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se gjykatat janë shkelëset më të mëdha të të drejtave të njeriut.

Aktualisht në Kosovë, numri i lëndëve në procedim, sipas tij, është rreth 200 mijë, derisa kohëzgjatja e lëndëve gjyqësore, ka theksuar Jashari, kalon afatin minimal 5-vjeçar, çka sipas tij, është në kundërshtim me çdo standard.

XS
SM
MD
LG