Ndërlidhjet

OONI: Kazakistani i ‘ngufat’ faqet e REL-it


Faqja e internetit Azattyq.org është një nga shërbimet e RFE/RL.
Faqja e internetit Azattyq.org është një nga shërbimet e RFE/RL.

Observatori i Hapur për Ndërhyrjen në Rrjet (OONI) njoftoi se provat tregojnë se Kazakistani, në shtatë muajt e fundit, ka kufizuar qasjen në faqet e internetit të Radios Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL) në këtë vend të Azisë Qendrore.

OONI, i cili monitoron dhe raporton për censurën në internet, njoftoi më 28 prill se kishte hetuar raportet për disa faqe të caktuara të internetit të Radios Evropa e Lirë. Ata hetuan raportet mbi shërbimet lokale të Radios Evropa e Lirë në Kazakistan, Azattyq.org dhe Rus.azattyq.org, si dhe Current Time, një rrjet në gjuhën ruse që drejtohet nga Radio Evropa e Lirë (RFE/RL) në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

OONI zbuloi se faqet ishin “ngufatur” në muajt përpara zgjedhjeve të parakohshme të nëntorit të vitit 2022 në Kazakistan. Praktika vazhdoi në prill dhe ende po ndodh në disa raste, shtoi ai.

“Ngufatja është një metodë delikate, por efektive e përdorur për të kufizuar qasjen në përmbajtjen në internet”, tha OONI në raport.

Jamie Fly, president dhe drejtor ekzekutiv kryesor i Radios Evropa e Lirë.
Jamie Fly, president dhe drejtor ekzekutiv kryesor i Radios Evropa e Lirë.

Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thanë se Kazakistani shpesh bllokon ose kufizon qasjen në mediat sociale. Freedom House, në raportin e saj vjetor mbi nivelin e lirisë së internetit në botë, të publikuar në fillim të këtij viti, e përkufizoi Kazakistanin si një vend “jo të lirë”.

“Audienca në të gjithë Kazakistanin beson se Radio Azattyq ofron transparencë dhe llogaridhënie, ndërkaq ne gjithmonë do të gjejmë mënyra për të arritur deri te ata”, tha presidenti dhe drejtori ekzekutiv kryesor i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kazakistanit të ndalojë bllokimin e informacionit të pavarur”, shtoi ai.

Në maj të vitit 2022, presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, i cili fitoi lehtësisht zgjedhjet e parakohshme më 20 nëntor, nënshkroi një ligj kontrovers dhe të paqartë që lejon autoritetet të mbyllin mediat sociale dhe platformat e mesazheve.

Megjithatë, ekspertët e internetit dhe aktivistët e kritikuan ligjin, duke thënë se ai do t’u jepte autoriteteve kontroll më të fuqishëm mbi mediat sociale dhe mesazhet.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë akuzuar autoritetet e Kazakistanit për përdorimin e qëllimshëm të “gjuhës së paqartë” në legjislacion për të shtypur mospajtimet.

Radio Evropa e Lirë është kompani mediatike e pavarur editoriale, e cila financohet nga granti i Kongresit amerikan përmes Agjencisë amerikane për media globale. Shpërndan informacion në 27 gjuhë, në 23 vende, ku liria e medias është e kufizuar ose gazetaria profesionale nuk është e zhvilluar mjaftueshëm.

XS
SM
MD
LG