OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët më 2025

Performancë kundër femicidit në Prishtinë - fotografi arkivi
Performancë kundër femicidit në Prishtinë - fotografi arkivi

Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

Raporti, i publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, tregon se, ashtu si në vitet paraprake, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre.

Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.

Sipas raportit, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.

Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, tha se normat shoqërore dhe dështimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.

Ndryshimi i këtij realiteti, sipas saj, kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, bëri thirrje për veprime urgjente, në mënyrë që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor i krimit të mos i shpëtojë përgjegjësisë.

Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla e vrasjeve në nivel global është në rënie, ajo e femicidit - vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre - bie me ritme shumë më të ngadalta.

Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri më 2025, ndërsa ajo e femicidit për vetëm 28 për qind.

Tetë gra të vrara në Kosovë këtë vit

Dhuna ndaj grave mbetet shqetësim edhe në Kosovë, ku deri në fund të tetorit të këtij viti janë vrarë tetë gra, kryesisht nga partnerët ose ish-partnerët e tyre.

Ky numër është më i larti i regjistruar brenda një viti që nga viti 2010.

Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçare, më 25 tetor të këtij viti në Vitomiricë të Pejës, nxiti protesta dhe riktheu në vëmendje dështimet e institucioneve në mbrojtjen e grave nga dhuna.

Zekaj, për vrasjen e së cilës dyshohet kunati i saj, kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.

Një ditë pas vrasjes së saj, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që parasheh hetim parlamentar të rastit, si dhe krijimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës ndaj grave, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës regjistroi mbi 2.000 raste të dhunës në familje, apo mesatarisht shtatë deri në tetë raste në ditë.

Mbi 76 për qind e viktimave të këtyre rasteve ishin të gjinisë femërore.

Kosova ka ndërmarrë disa hapa ligjorë dhe institucionalë për luftimin e dhunës ndaj grave gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2020, Konventa e Stambollit - dokumenti ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje - u përfshi në Kushtetutën e Kosovës.

Në vitin 2023 hyri në fuqi Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Në dhjetor të vitit 2024, nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, u funksionalizua edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike, që mundëson monitorimin e personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, me qëllim parandalimin e dhunës në familje.

Megjithatë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave vazhdojnë të evidentojnë mangësi në zbatimin e legjislacionit.

Rrjeti i Grave të Kosovës, gjatë monitorimit të 155 rasteve të dhunës me bazë gjinore nga viti 2025 deri në maj të vitit 2026, identifikoi mangësi në vlerësimin e rrezikut ndaj viktimave, mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve, zvarritje të procedurave gjyqësore dhe shqiptim të dënimeve joproporcionale me peshën e veprave penale.

Çdo vit, më 25 nëntor, në Kosovë dhe në mbarë botën nis fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin e saj.

​
XS
SM
MD
LG