Ndërlidhjet

Kosova, e vetmja në rajon pa rezerva të arit


Shufra dhe monedha të arit të ruajtura në një kasafortë në Mynih të Gjermanisë. Fotografi nga arkivi.
Shufra dhe monedha të arit të ruajtura në një kasafortë në Mynih të Gjermanisë. Fotografi nga arkivi.

Kosova është shteti i vetëm në rajon, i cili nuk ka rezerva të arit.

Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se “për momentin nuk mban në portofolin e saj rezerva ndërkombëtare në ari dhe metalet e tjera të çmuara”. Ndërkaq në pasqyrën e mjeteve financiare të publikuar nga kjo bankë, figurojnë rreth 1 miliard e 847 mijë euro, si rezerva të kapitalit.

Ari, si pasuri, ka një likuiditet dhe stabilitet më të madh të çmimit dhe shtetet që nuk dëshirojnë të pranojnë ndonjë risk të lartë, orientohen që si aset të tyre financiar, ta ruajnë në rezervat e tyre arin.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave, me pyetjen se pse Kosova nuk ka rezerva të arit dhe a ka ndonjë plan që t’i krijojë rezervat e tilla. Por, deri më tash, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Shatri: Kapaciteti i dobët i vendit për rezerva të arit

Haki Shatri, ish-ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë mjaft arsye pse Kosova nuk ka arritur të krijojë rezerva të arit.

Sipas tij, Kosova ka dalë nga lufta në vitit 1999, pa trashëguar rezerva të tilla nga ish-Jugosllavia. Sipas tij, Kosova, fillimisht, në pesë vjetët e para pas luftës, kishte investuar në krijimin e infrastrukturës institucionale dhe krijimin e parakushteve për të formuar shtetin, me një buxhet shumë formal prej rreth 300 milionë eurove. Pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ishin nevojitur investimet për ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e ligjeve dhe ndërtimin e institucioneve që merren me inkasim të tatimeve dhe doganat.

“Arsyeja se pse s’kemi (rezerva të arit), fillimisht, është kapaciteti i dobët dhe mundësia e vogël për të pasur më shumë (kapital buxhetor). Nëse do të kishim pasur rezerva më shumë, atëherë në vend se t’i ruanim ato në valutë, shteti do t’i shndërronte ato në rezerva të arit, në qoftë se do të vlerësohej se ecuria e çmimit të arit, kur blihet, është e favorshme. Por, varet edhe nga lëvizjet e çmimit në treg”, thotë Shatri.

Bektashi: Kosova ende nuk ka marrë ari nga ish-Jugosllavia

Përveç mungesës së rezervave të arit, Kosova nuk ka as valutën kombëtare të saj dhe në përdorim ka euron. Në mungesë të valutës kombëtare edhe Mali i Zi e përdorë euron, ndërkaq vendet tjera të dala nga ish-Jugosllavia, i kanë valutat e tyre kombëtare.

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë që mospasja e valutës kombëtare arsyetohet me mospasjen e rezervave të arit.

Sipas tij, Republika e Serbisë është trashëguese e ish-sistemit të Jugosllavisë. Siç thotë Bektashi, shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, kanë trashëguar pjesë të pasurisë prej mbi 200 tonelata ari që ishin rezerva të ish-shtetit të përbashkët. Por, Kosova ende nuk njihet nga Serbia dhe për pasojë, siç thotë ai, ndërmjet këtyre dy vendeve nuk është kryer sukcesioni financiar dhe ekonomik. Rrjedhimisht, Kosova nuk ka trashëguar pjesë nga pasuria e arit që ka pasur ish-Jugosllavia dhe trashëgimtarja e saj, Serbia.

“Derisa nuk përfundojnë problemet politike, ne nuk mund të fillojmë të kyçemi në sukcesion ekonomik dhe financiar me Serbinë. Arsyeja tjetër pse ne jemi i vetmi shtet që nuk kemi rezerva të arit, ka të bëjë edhe me kufizimet e caktuara që i ka pasur Banka Qendrore në periudhën e caktuar. Ndonëse, sipas një formule, të gjitha shtetet e zhvilluara i ruajnë rezervat në me një të tretën - për ta shpërndarë riskun- në dollarë, euro dhe ari. Ne jemi të vetmit që kemi vetëm euro”, shprehet Bektashi.

Pafuqia për të krijuar rezervat e arit

Ish-ministri Shatri shpreh mendimin se duke marrë parasysh kërkesat e mëdha që ka pasur vendi gjatë ndërtimit të shtetësisë, përballë buxhetit, sipas tij, jo të madh, për pamundësia e krijimit të rezervave të arit nuk duhet të fajësohet askush.

“Nuk mund t’ia lë fajin asnjërës prej qeverive dhe as kësaj aktuale sepse nuk është varur prej tyre. Thjesht, nuk ka pasur mundësi dhe ky është potenciali jonë”, vlerëson Shatri.

Ai shton se mbetet vetëm për të shpresuar që Kosova nuk do të gjendet përballë ndonjë krize, ku rezervat e arit do të ishin të domosdoshme.

Profesor Bektashi thekson se shtete e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në vitet e fundit të krizës financiare, i ka shtuar dukshëm rezervat e arit. Por, ai shpreh mendimin se edhe në rast se eventualisht Kosova do të niste të siguronte rezervat e arit, aktualisht nuk është koha për një gjë të tillë.

“Tani çmimi i arit ka arritur për një ons (31.103 gramë) mbi 1,700 dollarë, është me shumë rrezik që me këtë çmim, i cili ndoshta në të ardhmen - nëse tejkalohet kriza financiare dhe kriza energjetike, e cila ka kapluar jo vetëm rajonin, por edhe botën - mund të ulet”, thekson Bektashi.

Aktualisht, rezervat e arit të Serbisë janë 37.2 tonelata. Maqedonia e Veriut ka 6.9 tonelata rezerva të arit, Bosnjë e Hercegovina ka 2.9 tonelata, Shqipëria ka 2.8 tonelata. Ndërkaq Mali i Zi ka 1.9 tonelata rezerva të arit, por ato janë të deponuara për kredi.

Serbia kthen rezervat e arit nga bankat jashtë vendit

Së fundmi, Serbia i ka kthyer në vend të gjitha rezervat e arit, të cilat i ruante jashtë vendit. Aktualisht, 37.2 tonelata të arit, sa ka rezerva Serbia, kanë vlerën prej 1.9 miliard euro.

Sipas Bankës Kombëtare të Serbisë, arsyeja për kthimin e shufrave të arit nga kasafortat në Zvicër dhe Angli, është se “në një mjedis të pasigurisë globale të shtuar, ajo dëshironte të rriste më tej sigurinë dhe mundësinë e qasjes të arit të saj”.

Megjithatë, kjo bankë nuk ka sqaruar se për çfarë rreziku konkret bëhej fjalë.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Serbi, Sasha Gjigoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka rezerva të mjaftueshme të valutave, pa e llogaritur arin.

“Në rast të çrregullimeve vërtetë të mëdha, çmimi i arit rritet në raport me valutat dhe atë rast jeni më të sigurt, sepse mund të shisni sasi të caktuara. Ari shërben për momente të vështira kur situatat ekonomike globale janë të pafavorshme ose në rast të presioneve dhe sanksioneve të mundshme politike, në mënyrë që të mos i ngrini rezervat tuaja diku jashtë vendit”, thotë ai.

Ari ruhet tradicionalisht në kasafortat e bankave të huaja, ndërkaq në kohë paqëndrueshmërie, vendet e tërheqin atë për t’u siguruar që mund ta përdorin në rast krize. Tani, sipas ekonomistit Sasha Gjogoviq, ajo mund të lidhet me pandeminë e virusit korona.

"Shqetësimi kryesor global aktualisht është pandemia, sa do të zgjasë ajo dhe a mund të shkaktojnë format e reja (të pandemisë) luhatje të reja në treg, gjë që mund të çojnë përsëri në një rënie të rrjedhave ekonomike. Në ato raste, çmimi i arit do të rritej përsëri”, thotë Gjogoviq.

Kush i ka rezervat më të mëdha të arit?

Bankat qendrore të botës aktualisht mbajnë më shumë se 35.000 tonelata ar.

Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Arit (World Gold Council), i cili mban shënime sipas vendeve, Shtetet e Bashkuara kanë rezervat më të mëdha të arit – 8,133 tonë, që është pothuajse 78 për qind e totalit të rezervave valutore të vendit.

Ari që ruhet në një kasafort në Gjermani. Gjermania është shteti i dytë në botë me rezervat më të mëdha të arit.
Ari që ruhet në një kasafort në Gjermani. Gjermania është shteti i dytë në botë me rezervat më të mëdha të arit.

Pas saj vjen Gjermania me 3,359 tonë dhe Italia dhe Franca me më shumë se 2,000 tonë ar.

Sasi të konsiderueshme ari në dekadën e fundit kanë blerë Rusia dhe Kina, të cilat zënë vendin e pestë dhe të gjashtë në listën botërore.

Banka Qendrore e Rusisë aktualisht zotëron 2,292 tonë ar, gjë që e rriti sasinë e rezervave në më shumë se 20 për qind. Rusia rriti më tej blerjet e saj në vitin 2018, pasi investimet në bono amerikane u reduktuan në minimum pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj atij vendi për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, shkruan Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG