Ndërlidhjet

Beqiroviq dhe Cvijanoviq në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën e Bosnjës


Pamje nga një qendër votimi në Bosnje-Hercegovinë.
Pamje nga një qendër votimi në Bosnje-Hercegovinë.

Pas shumicës së votave të numëruara - 84. 75 për qind - Denis Beqiroviq, kandidati boshnjak i opozitës së bashkuar, “Të bashkuar për Bosnje e Hercegovinën e lirë”, dhe Zhelka Cvijanoviq , janë në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën trepalëshe të Bosnjës.

Sipas rezultateve të fundit, Zhelko Komshiq është përpara Borjana Krishtos në garën për ulësen kroate në Presidencë.

Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia e të cilit – Partia për Veprim Demokratik – ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.

Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit Zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën.

Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në Presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Zyrtarët kanë thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar mirë, pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalim të disa personave për mashtrime zgjedhore.

Aktualisht, Bosnje-Hercegovina është duke u përballur me krizën më të rëndë politike prej fundit të luftës së viteve 1990, sidomos për shkak të politikave separatiste të udhëheqësisë së serbëve të Bosnjës dhe kërcënimeve për bllokada nga kroatët në këtë shtet.

“Është koha për një kthesë pozitive në Bosnje”, u ka thënë Beqiroviq gazetarëve pasi ka pretenduar fitore.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome: Republikën Sërpska e dominuar nga serbët dhe Federata me popullsi kryesisht të boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve.

Federata është e ndarë në 10 kantone.

Ekziston edhe distrikti i ndarë Bërçko në veri.

Ky organizim është krijuar sipas Marrëveshjes së Dejtonit, të vitit 1995, të cilat u kanë dhënë fund tre vjetëve luftime në këtë republikë të ish-Jugosllavisë.

Vëmendje të madhe në këto zgjedhje ka fituar edhe udhëheqësia për Republikën Sërpska.

Dodik ka garuar për president të Republikës Sërpska dhe nuk ka synuar mandat të dytë në presidencën trepalëshe.

Edhe Dodik, edhe rivalja e tij, Jellena Triviq, kanë pretenduar fitore për Presidencën e Republikës Sërpska.

Pretendimet e tyre do të testohen më 3 tetor, kur autoritetet zgjedhore pritet t'i bëjnë publike rezultatet me shifrat e përditësuara.

Dodik mban lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.

Shtetet e Bashkuara e sanksionuar Dodikun më 2017, dhe sërish në janar të këtij viti, për shkak të përpjekjeve të tij për ndarje të Bosnjës.

Ndryshimet ligjore në Bosnjë

Më 2 tetor, Përfaqësuesi i Lartë i Bosnje-Hercegovinës, Christian Schmidt, ka miratuar një pako të ndryshimeve në Ligjin zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Ndryshimet i referohen ekskluzivisht konstituimit paszgjedhor të organeve të zgjedhura në mënyrë indirekte.

Më 22 dhjetor, 2009, Gjykata Evropiane konstatoi se Kushtetuta e Bosnjës i diskriminon drejtpërdrejt pakicat, duke mos lejuar pjesëmarrjen e barabartë të tyre në zgjedhjet demokratike.

Por, autoritetet e Bosnjës, që nga ajo kohë, nuk e kanë ndryshuar ende Kushtetutën dhe tri palë zgjedhje të përgjithshme janë mbajtur në përputhje me të.

XS
SM
MD
LG