Ndërlidhjet

Rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri, pas 48 orësh


Tiranë, 25 prill, 2021.

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pritet të bëhen publike pas 48 orësh.

“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitjeje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit.

Ai u bëri thirrje partive politike që të përcjellin me qetësi situatën në vijim pasi, siç tha ai, është shumë e rëndësishme për sigurinë e procesit.

Ai tha se deklaratat para përfundimit të numërimit nuk i shërbejnë këtij procesi.

Të dielën, 3.6 milionë qytetarë të Shqipërisë, patën të drejtë që të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, e cila më pas zgjedh qeverinë që udhëheq me vendin për katër vjetët e ardhshme.

Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas tetë vjetësh në opozitë.

Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.

Këto janë zgjedhjet e dhjeta që nga rënia e komunizmit.

XS
SM
MD
LG