Ndërlidhjet

Shkatërrohet një rrjet i drogës nga Ballkani


Disa policë spanjoll gjatë një operacioni kundwr-terror. Fotografi nga arkivi.

Agjencitë për zbatimin e ligjit nga tetë vende evropiane kanë shkatërruar një kartel të drogës nga Ballkani, duke akuzuar 61 persona.

Gjatë operacionit janë konfiskuar më shumë se 2.6 tonë kokainë.

Agjencia evropiane e policisë, Europol, tha më 27 shtator se ky kartel kishte “përmbytur Evropën me kokainë”.

Transporti i drogës për në Evropë bëhej nga Amerika e Jugut përmes Spanjës.

Në këtë operacion ndërkombëtarë u angazhuan agjencitë e sigurisë nga Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Spanja, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia.

“Kjo organizatë kriminale përbëhej kryesisht nga kriminelë serbë, kroatë, malazezë dhe sllovenë si dhe kishte një rrjet të shtrirë në disa vende”, tha Europol.

Gjatë disa muajve, agjencitë e policisë mblodhën informacione duke bërë që autoritetet spanjolle në muajin mars të bastisnin disa qytete dhe të arrestonin 13 individë, përfshirë një oficer policie që punonin me kartelin. Atëbotë ata po përgatiteshin për të pranuar një dërgesë droge nga Amerika e Jugut.

Operacioni kishte vazhduar edhe në muajin maj, kur 48 pjesëtarë të grupit kriminal ishin akuzuar në Slloveni. Ata akuzoheshin për shpërndarje të kokainës dhe marihuanës në të gjithë Evropën. Dhjetë nga të dyshuarit janë nën arrest.

Gjatë aksionit për shkatërrimin e kësaj bande kriminale janë sekuestruar 2.6 tonë kokainë dhe 324 kilogramë marihuanë, si dhe makina luksoze dhe gati 700.000 dollarë në para të gatshme.

Europol nuk bëri të ditur se pse e bëri njoftimin disa muaj pasi është zhvilluar operacioni.

XS
SM
MD
LG