Ndërlidhjet

Dy rusë deklarohen fajtorë për krime kibernetike në SHBA


Ilustrim.

Dy shtetas rusë janë në mesin e katër personave që janë deklaruar fajtorë për krime kibernetike që kishin për cak bankat dhe kompanitë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Nga këto krime janë shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Katër personat – dy rusët Aleksandr Grichishkin, 34 vjeç dhe Andrei Skvortsov po ashtu 34 vjeç, 33-vjepari nga Lituania Aleksandr Skorodumov dhe Pavel Stassi, 30 vjeç nga Estonia – kanë ofruar të dhëna për rrjete të kriminelëve kibernetikë, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Në mesin e të dhënave që këta persona ofruan ishin IP adresat, serverët dhe domenët për klientët e tyre që kryenin krime kibernetike, të cilët më pas i përdorën këto të dhëna për të pasur qasje në kompjuterët e kompanive dhe për të vjedhur kredenciale bankare, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

“Në një periudhë disa vjeçare, të pandehurit kanë ndërmjetësuar aktivitete kriminale për një rrjet të kriminelëve kibernetikë në mbarë botën, duke iu ofruar atyre mundësi që të kryejnë veprimtarinë e tyre kriminale”, tha agjenci special i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Timothy Waters.

Departamenti i Drejtësisë tha se me ndihmën e këtyre persona ishin kryer sulme ndaj kompanive amerikane dhe institucioneve financiare në vitet 2009 deri më 2015.

Të katër personat u deklaruan fajtorë pranë një gjykate në Miçigan. Secili nga ta përballet me maksimum 20 vjet burgim, por lidhur me vendimin për dënimin e tyre, do të mbahet seancë më vonë gjatë këtij viti.

Partnerët e FBI-së në Gjermani, Estoni dhe Mbretërinë e Bashkuar kishin ndihmuar FBI-në për të hetuar këtë rast.

XS
SM
MD
LG