Ndërlidhjet

Rusia intensifikon sulmet ndaj Radios Evropa e Lirë


Selia qendrore e Radios Evropa e Lirë në Pragë. Fotografi nga arkivi.
Selia qendrore e Radios Evropa e Lirë në Pragë. Fotografi nga arkivi.

Radio Evropa e Lirë ka reaguar ndaj fushatës së Rusisë për të heshtur mediat e pavarura dhe ka thënë se përpjekjet për ta larguar atë nga shteti po vazhdojnë pa pushim.

“Me cilësimin si ‘agjentë të huaj’ edhe të gjashtë gazetarëve të tjerë dhe rritjen e numrit të gjobave duke u thirrur në Ligjin për agjentë të huaj, Radio Evropa e Lirë hyn në vitin 2022 me 18 gazetarë rusë në listën e Qeverisë ruse të ‘agjentëve të huaj’ dhe përballet me mbi 13 milionë dollarë gjobë”, tha Radio Evropa e Lirë përmes një njoftimi për media.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly tha se teksa kërcënimi nga grumbullimi i 100,000 trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës po vazhdon, “veprimet ngacmuese të Rusisë ndaj gazetarisë së pavarur janë intensifikuar”.

“Radio Evropa e Lirë vazhdon t’i ofrojë popullit rus lajme dhe informacione që atyre iu duhen që ta mbajnë përgjegjës Qeverinë”, tha Fly.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Rusia futi në listën e “agjentëve të huaj” gazetarët e REL-it Yelena Vladykina dhe Ivan Belyaev, në mesin e gjashtë personave të tjerë, përfshirë edhe pjesëtare të grupit Pussy Riot.

Futja në këtë listë i bën këta persona subjekt që t’i nënshtrohen raportimeve të thella financiare dhe i detyron ata që të tregojnë se janë “agjentë të huaj” në të gjitha komunikimet elektronike apo kur postojnë ndonjë përmbajtje.

Deri më tani, në listën e “agjentëve të huaj” janë 75 persona të mediave dhe 36 organizata mediale.

Për shkak se Radio Evropa e Lirë ka refuzuar për t’iu nënshtruar kushteve të padrejta të cilësimit të përmbajtjes në kuadër të Ligjit për agjentë të huaj, rregullatori rus i komunikimeve, Roskomnadzor, që nga fillimi i vitit 2021 ka nisur procese ligjore ndaj Radios Evropa e Lirë dhe tani kompani përballet me gjobë prej 13.4 milionë dollarësh.

XS
SM
MD
LG