Ndërlidhjet

Rusia teston një raketë të re bërthamore


Fotografi e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë që shfaq momentin e lëshimit të raketës Sarmat.
Fotografi e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë që shfaq momentin e lëshimit të raketës Sarmat.

Rusia tha më 20 prill se ka kryer testin e parë të raketës së saj balistike ndërkontinentale, Sarmat, që është raketë e re në arsenalin e saj bërthamor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në televizionet ruse, teksa zyrtarët ushtarakë e informuan se raketa ishte lëshuar nga Plesetsk, në veriperëndim, dhe kishte goditur një shënjestër në Gadishullin Kamçatka, në Lindjen e Largët.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha përmes një njoftimi se Sarmat u lëshua në orën 15:12, sipas kohës lokale të Moskës, dhe fluturoi afër 6,000 kilometra në poligonin e Kamçatkas.

“Sarmat është raketa më e fuqishme me rrezen më të gjatë të veprimit dhe arrin të shkatërrojë objektivat më të largëta në botë, që do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme fuqinë luftuese të forcave bërthamore strategjike të shtetit tonë”, tha kjo ministri.

Putin u mburr se raketa “është e aftë të shmangë të gjitha mjetet e mbrojtjes raketore në botë”. Ai tha se si kjo raketë nuk ka në botë “dhe nuk do të ketë për një kohë të gjatë”.

Raketa “do të forcojë potencialin luftarak të forcave tona të armatosura, do të ofrojë siguri për Rusinë nga kërcënimet e jashtme dhe do t’i bëjë të mendojnë ata që me retorikë agresive, përpiqen të kërcënojnë vendin tonë”, tha Putin.

Raketa Sarmat ka qenë duke u zhvilluar për vite të tëra dhe testimi i kësaj rakete nuk është befasi për Perëndimin. Por, ky testim u krye në kohën e tensioneve të rritura për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia ka njoftuar Shtetet e Bashkuara para testimit të kësaj rakete balistike ndërkontinentale, tha Pentagoni, dhe shtoi se Uashingtoni e ka parë këtë si një test rutinor dhe jo si kërcënim për SHBA-në.

XS
SM
MD
LG