Ndërlidhjet

Lavrov: Rusia është e hapur për bisedime me Perëndimin për luftën në Ukrainë


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska është e hapur për bisedime me Perëndimin për luftën në Ukrainë, por shtoi se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë propozim serioz për negociata.

Gjatë një interviste për televizionin shtetëror rus, Lavrov tha se zyrtarët, përfshirë edhe zëdhënësin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për bisedime, por Rusia ka refuzuar.

“Kjo është gënjeshtër”, tha Lavrov. “Ne nuk kemi pranuar asnjë ofertë serioze për komunikim”.

Ai tha po ashtu se Rusia nuk do të refuzojë ndonjë takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë takimit të ri të G20-s. Kryediplomati rus tha se nëse ka ndonjë propozim për takimin Putin-Biden, Moska do ta shqyrtojë.

“Ne vazhdimisht kemi thënë se ne nuk refuzojmë asnjëherë takime. Nëse ka ndonjë propozim, ne do ta shqyrtojmë”, tha Lavrov.

Duke komentuar për mundësinë që Turqia të ndërmjetësojë bisedimet midis Rusisë dhe Perëndimit, Lavrov tha se Moska ka vullnet që të dëgjojë çdo sugjerim, por tha se nuk mund të deklarohet se këto përpjekje mund të prodhojnë zgjidhje.

Lavrov tha se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do ta ketë mundësinë që t’i paraqesë propozime presidentit rus, Vladimir Putin, kur dy liderët të takohen gjatë kësaj jave në Kazakistan.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Së fundmi, forcat e Moskës janë përballur me humbje, pasi forcat ukrainase nisën një kundërofensivë në fillim të shtatorit.

XS
SM
MD
LG