Ndërlidhjet

Rusia diskuton pjesëmarrjen në Stacionin Hapësinor përtej vitit 2024


Sergei Krikalyov nga Agjencia ruse e Hapësirës, Roskosmos.
Sergei Krikalyov nga Agjencia ruse e Hapësirës, Roskosmos.

Agjencia ruse e Hapësirës, Roskosmos, po synon të vazhdojë pjesëmarrjen në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) edhe pas vitit 2024, ka thënë, Sergei Krikalev, zyrtar i saj.

Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë tejet të tensionuara, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Prandaj, shefi i Roskosmosit, Yuri Borissov pati thënë përgjatë verës se Rusia do të largohet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor pas vitit 2024, dhe se synon të ndërtojë stacionin e vet.

Mirëpo, Sergei Krikalev, udhëheqës i programeve të Rusisë për dërgimin e njerëzve në Hapësirë, u ka thënë gazetarëve më 3 tetor se Roskosmos ka nisur “të diskutojë me Qeverinë tonë mundësinë e zgjatjes së pjesëmarrjes në programin ISS, dhe shpreson që të marrë leje për të vazhduar punën vitin e ardhshëm”.

Krikalev nuk ka dhënë datë të saktë për një plan të tillë.

Sipas tij, ndërtimi i stacionit të ri nuk mund të ndodhë shpejt “prandaj ka mundësi që të vazhdojmë pjesëmarrjen derisa të kemi infrastrukturë të re”.

Ai i ka bërë këto deklarata në gjuhën angleze, në një konferencë për media të Agjencisë Hapësinore të Shteteve të Bashkuara, NASA.

Agjencia amerikane ka bërë të ditur se më 5 tetor, se raketa SpaceX do të dërgojë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dy astronautë amerikanë, një rus dhe një japonez.

Vendet partnere në këtë Stacion – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Evropa, Kanadaja dhe Japonia – janë të përkushtuara për të vazhduar punën në stacionin hapësinor deri më 2024, ndonëse zyrtarët amerikanë kanë thënë se dëshirojnë të jenë atje deri më 2030.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG