Ndërlidhjet

Rusia thotë se gazsjellësi për në Evropë “praktikisht” është mbyllur


Një anije kalon pranë një fushe gazi në Rusi. Fotografi ilustruese.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se Moska po përdor si “armë” eksportet e energjisë. Ai u mburr se mund të shesë lehtësisht naftë dhe gaz në mbarë botën, teksa fajësoi evropianët për ndërprerjet aktuale të dërgesave të gazit.

Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok më 7 shtator, Putin tha se gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 – që transporton gaz nga Rusia në Gjermani – “praktikisht është mbyllur” dhe të do vazhdojë të jetë i mbyllur sepse një nga turbinat ende është jashtë funksionit.

Putin tha se kompania ruse Gazprom ka vullnet që të rikthejë dërgesat e gazit për Rrjedhës Veriore 1, nëse vendoset turbina e re, e cila duhet të dërgohet direkt nga Rusia.

Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të vërë në funksion gazsjellësin Rrjedha Veriore 2, nëse është e nevojshme.

Ndërprerjet e dërgesave të gazit rus kanë ngritur frikën se Moska do të vazhdojë të mos dërgojë gaz për një periudhë të gjatë kohore me qëllim që t’iu bëjë presion shteteve Perëndimore dhe të thyejë unitetin e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Gazprom pezulloi dërgesat me gaz përmes Rrjedhës Veriore 1 më 31 gusht për të kryer punime të rregullta të mirëmbajtjes, por kompania ruse nuk riktheu dërgesat me gaz për shkak të, siç tha, rrjedhjeve në një pompë të turbinës.

Partneri gjerman i Gazpromit, Siemens Energy hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se ndërprerjet janë shkaktuar për shkak të “riparimeve”.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 sjell një të tretë e furnizimeve me gaz rus për Evropën.

Gjatë verës, Gazpromi tha se sanksionet perëndimore po pengonin kompaninë që të dërgonte një turbinë të re nga jashtë.

Ndërkaq, Rrjedha Veriore 2 është një gazsjellës i përfunduar, që do të duhej të sillte gaz nga Rusia për në Gjermani përmes Detit të Zi. Por, autoritetet në Berlin nuk kanë certifikuar futjen në funksion të këtij tubacioni për shkak të luftës në Ukrainë.

Perëndimi vazhdimisht ka akuzuar Moskën se po përdor si “armë” dërgesat e gazit dhe produkteve të tjera të energjisë, teksa Rusia po vazhdon luftën në Ukrainë, që është një shtet transit për gazin rus.

Në Vladivostok, Putin po ashtu tha se sanksionet e vendosura ndaj shtetit të tij kanë shkaktuar krizën me gaz dhe shtoi se Ukraina ka mbyllur një prej rrugëve transit të energjisë.

Ai tha se edhe Polonia ka mbyllur një tubacion gazi që transporton energji nga Siberia për në Poloni dhe Gjermani.

XS
SM
MD
LG