Ndërlidhjet

Rusia i pranon gabimet gjatë mobilizimit të rezervistëve


Ndërtesa e Kremlinit në Moskë. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Kremlinit në Moskë. Fotografi nga arkivi.

Kremlini e ka pranuar se ka bërë gabime gjatë mobilizimit të rezervistëve të ushtrisë ruse për të luftuar në Ukrainë.

Ditëve të fundit ka pasur raportime të ndryshme se edhe njerëzit pa përvojë ushtarake – apo disa që janë në moshë dhe me probleme shëndetësore – janë duke u thirrur nga shteti.

“Ka raste ku dekreti është shkelur”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke u zotuar se “të gjitha gabimet do të përmirësohen”.

Sipas tij, “guvernatorët janë duke punuar vazhdimisht për të korrigjuar situatën” në disa rajone.

Peskov ka thënë po ashtu se nuk është në dijeni të vendimeve për mbyllje të kufijve apo për shpallje të gjendjes së luftës në Rusi.

Disa media kanë raportuar se autoritetet ruse mund të marrin vendime të tilla për të pamundësuar ikjen e rusëve jashtë shteti.

Dekreti i Putinit për mobilizim të pjesshëm ka nxitur protesta në shumë qytete të Rusisë dhe për pasojë janë ndaluar më shumë se 2.000 njerëz.

Më 21 shtator, Putin ka bërë të ditur vendimin për mobilizim të pjesshëm.

Një "gjyq i Nyrembergut" për Putinin?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:08 0:00

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më vonë se autoritetet do të thërrasin 300.000 rezervistë.

Megjithatë, raportimet e mediave opozitare në Rusi, kanë sugjeruar se rreth 1 milion njerëz mund të pranojnë ftesa.

Disa ekspertë të Perëndimit dhe Ukrainës besojnë se vendimi i Putinit për të thirrur rezervistët, tregon se trupat ushtarake ruse janë duke dështuar keq në fushëbetejë në Ukrainë – më shumë se shtatë muaj pasi Moska ka nisur luftën në këtë shtet.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG