Ndërlidhjet

Kremlini mirëpret bisedën Xi-Zelensky për luftën në Ukrainë


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Fotografi nga arkivi.

Kremlini tha se mirëpret gjithçka që mund të sjellë më afër fundin e konfliktit në Ukrainë.

Ky është reagimi i Moskës në pyetjen lidhur me bisedën telefonike që zhvilloi një ditë më parë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ai kinez, Xi Jinping.

Por, Kremlini tha se ende ka nevojë të arrijë qëllimet e tij në atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.

Të mërkurën, lideri kinez dhe ai ukrainas zhvilluan bisedën e parë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e kaluar. Kjo telefonatë përmbushin qëllimin e kamotshëm të Kievit që të zhvillojë bisedime me Pekinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është njoftuar me detajet e bisedës së dy liderëve dhe se qëndrimi i tyre për konfliktin është mjaft i njohur.

“Ne jemi të gatshëm të pranojnë gjithçka që mund të ndihmojë në dhënien fund të konfliktit në Ukrainë dhe Rusia të arrijë të gjitha qëllimet e veta”, tha Peskov.

“Sa i përket faktit që ata komunikuan, kjo është një çështje sovrane e këtyre shteteve dhe është çështje e dialogut të tyre dypalësh”.

I pyetur nëse Rusia dhe Kina kanë biseduar për rivendosjen e kufijve të Ukrainës të vitit 1991 gjatë vizitës së zhvilluar së fundi në Moskë të liderit kinez, Peskov tha:

“Nuk ka pasur diskutime për këtë çështje”.

Kina, aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar pushtimin e Ukrainës. Por, Pekini ka bërë thirrje që konflikti të zgjidhet përmes rrugëve diplomatike.

XS
SM
MD
LG