Ndërlidhjet

Rusia kursen para duke i shpallur dezertorë ushtarët e zhdukur

Një ushtar rus mbi një tank të braktisur rus në Izjum, në rajonin e Harkivit në Ukrainë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një ushtar rus mbi një tank të braktisur rus në Izjum, në rajonin e Harkivit në Ukrainë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Djali i Marinës u dërgua në një mision luftarak në Ukrainë më 20 korrik 2025 dhe po atë ditë i dërgoi asaj një fotografi nga fronti, së bashku me një mesazh ku i thoshte se ishte plagosur lehtë kur një dron kishte shpërthyer afër tij.

Dhjetë ditë më vonë, një oficer i njësitit të tij e siguroi se ai ishte mirë dhe se do ta kontaktonte sapo t’i jepej mundësia, tha Marina për Radion Evropa e Lirë, duke kërkuar që mbiemri i saj të mos bëhej publik nga frika e pasojave nga shteti rus.

Por, që atëherë ajo nuk ka marrë më asnjë lajm nga i biri. Dhe, kur në gusht të vitit të kaluar telefonoi në një linjë telefonike të Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar informacion mbi fatin e tij, mësoi se ai ishte shpallur si ushtar i larguar pa leje, apo dezertor, që nga 23 korriku.

Më shumë se një vit më vonë, Marina ka frikë se djali i saj ka vdekur. Ajo dyshon po ashtu se është njëra prej shumë rusëve, djemtë, bashkëshortët ose baballarët e të cilëve janë dezertorë, pavarësisht gjasave të mëdha që në të vërtetë të jenë vrarë ose të jenë zhdukur në luftime.

Motivi kryesor për një mashtrim të tillë janë paratë: paga e një ushtari pezullohet kur ai shpallet dezertor, ndërsa familjarët nuk kanë të drejtë të marrin pagesat e premtuara për të afërmit e të vrarëve ose të zhdukurve, apo përfitime sikurse përparësi për fëmijët në sigurimin e vendeve në institucionet arsimore, nga kopshti deri në universitet.

Marina, e cila jeton në rajonin e Kemerovos, në Siberi, verën e kaluar ndërmori hapa ligjorë për të ndryshuar statusin e të birit, në të zhdukur ose të vrarë në luftime. Ajo tha se i njëjti oficer që e kishte siguruar në korrik të vitit 2025 se i biri ishte mirë, vetëm kohët e fundit kishte filluar t’u përgjigjej pyetjeve të saj dhe i kishte thënë se kishte qenë e pamundur evakuimi i ushtarëve nga fushëbeteja ku ai ishte dërguar në misionin luftarak.

“Pra, si mund të ishte larguar ai nga zona me vullnetin e tij? Atje ka luftime të ashpra edhe sot e kësaj dite”, tha ajo për REL-in.

Marina ka ndërruar dy avokatë dhe ka shpenzuar rreth 200.000 rubla (2.500 dollarë) për këtë çështje, e cila më në fund ka shkuar në gjykatë.

“Shumë gra dhe fëmijë [të ushtarëve] nuk kanë para [për të ndjekur rrugë ligjore]. Ata u drejtohen me ankesa njësiteve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por pothuajse kurrë nuk arrijnë ndonjë rezultat”,

Larisa, banore e rajonit të Rostovit, nuk e ka marrë pagën e bashkëshortit të saj që kur ai u shpall dezertor dhjetorin e kaluar. Duke qenë se është e zënë me kujdesin për një foshnjë dhe një fëmijë më të madh, ajo tha se nuk ka as kohë, as mundësi financiare për të luftuar për ndryshimin e statusit të tij.

“Me zemër, shpresoj që bashkëshorti im të jetë rob lufte, por e kuptoj se me shumë gjasë ka vdekur. Shokët e tij të shërbimit thanë se vendi ku ndodhej ishte aq kaos, saqë ai pothuajse nuk kishte asnjë shans”, tha ajo për REL-in. “Komandanti e pranoi… se bashkëshorti im ishte në një mision luftarak dhe nuk kishte ku të arratisej. Por, megjithatë, ata e regjistruan si dezertor”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, me synimin për të nënshtruar shtetin që është i pavarur që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Rrogat e larta dhe pagesat e tjera, si përfitimet që u jepen familjarëve në rast vdekjeje, kanë qenë një shtytje e madhe për burrat rusë që të nënshkruajnë kontrata për të luftuar në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga viti 1945. Por, ushtria ruse po përballet me vështirësi për të ruajtur nivelet e ushtarëve, teksa lufta po i afrohet pesëvjetorit dhe forcat e Moskës po pësojnë humbje të mëdha, ndërsa përparojnë në fushëbetejë me një ritëm tepër të ngadaltë.

Një aktivist rus për të drejtat e njeriut, emri i të cilit nuk publikohet për arsye sigurie, tha se në rreth 95 për qind të rasteve që ai i di, në të cilat një pjesëtar i ushtrisë është zhdukur, dëshmitë tregojnë se ushtari mund të ishte plagosur rëndë, kapur nga forcat ukrainase ose vrarë, dhe jo që është larguar pa leje nga ushtria apo ka dezertuar.

Ai vlerësoi se shteti rus kursen deri në 13 milionë rubla (160.000 dollarë) për çdo ushtar që raportohet në mënyrë të rreme se është dezertor. Kjo u mundëson gjithashtu komandantëve të shmangin hapat e nevojshëm për ta shpallur një ushtar të zhdukur në luftime: mbledhjen e dokumenteve, marrjen në pyetje të bashkëluftëtarëve, njoftimin e familjarëve, e kështu me radhë.

“Është shumë më e thjeshtë ta shpallësh një person dezertor dhe të thuash se nuk dihet se ku ndodhet”, tha për REL-in aktivisti, i cili mbron të drejtat e ushtarëve dhe familjeve të tyre.

Gratë, bashkëshortët e të cilave janë shpallur të zhdukur, i thanë Radios Evropa e Lirë se kanë të drejtë të marrin pagesa mujore në vlerë prej 2.000 dollarësh.

Aktualisht, vdekja e një ushtari aktivizon një pagesë të vetme në vlerën totale prej 14.2 milionë rubla (175.000 dollarë) nga Qeveria federale në Moskë, përfshirë një bonus prej 5 milionë rublash, që janë caktuar në bazë të një dekreti të nënshkruar nga Putini. Shumë rajone ofrojnë gjithashtu pagesa shtesë deri në 3 milionë rubla (37.000 dollarë).

Putini ka bërë “show” me nderimin e rusëve që regjistrohen për të luftuar në atë që Kremlini e quan “operacion i posaçëm ushtarak” në Ukrainë, duke i paraqitur ata si shembuj të patriotizmit. Por, sprovat me të cilat përballen familjarët e ushtarëve të shpallur në mënyrë të rreme si dezertorë sugjerojnë një atmosferë indiference dhe neglizhence.

Është vështirë që shifrat të dihen me saktësi: nuk ka një regjistër të disponueshëm që liston ushtarët e shpallur si dezertorë. Pjesëmarrësit në grupe bisedash në rrjetet sociale, ku mblidhen familjarë të ushtarëve të zhdukur, thonë se numri i njoftimeve për ushtarët e shpallur si dezertorë u rrit ndjeshëm në fund të vitit 2025.

Njoftimet shpesh përfshijnë një fotografi dhe emrin e ushtarit, nofkën e tij, datën e lindjes dhe datën kur është shpallur dezertor. “Gruaja po e kërkon” ose “Motra po e kërkon”, thuhet në shumë prej tyre, ndërsa pjesëmarrësit ndonjëherë shkëmbejnë këshilla se si të kërkohet më së miri ndryshimi i statusit – një betejë e vështirë me burokracinë dhe pengesa të tjera, tha Marina.

“Duhet të mblidhni të gjitha provat se personi ka shkuar në një mision luftarak: mesazhet e tij, foto të shkëputura nga bisedat në platformat online dhe dëshmitë e bashkëluftëtarëve. Më pas, duhet të kontaktoni komandantin e njësitit dhe zyrën e regjistrimit dhe rekrutimit ushtarak, të paraqisni kërkesë për kërkimin e tij te policia ushtarake dhe një ankesë në prokurorinë ushtarake. Më pas, i bashkëngjitni të gjitha provat e mbledhura me ankesën”, tha ajo.

“Ndonjëherë duhet të prisni shtatë deri në tetë muaj për një përgjigje. Shpesh, prokuroria mban anën e komandës dhe raporton se nuk ka gjetur shkelje. Pastaj duhet të paraqisni ankesa të tjera, të kërkoni prova të reja dhe më pas t’i drejtoheni gjykatës”, shtoi Marina.

Marina tha se kur nisi përpjekjet për ndryshimin e statusit të djalit të saj, “e dija se kjo mund të zgjaste me vite”.

“Pikërisht kështu po ndodh: tani është vera e vitit 2026”, tha ajo. “Për të dytin vit radhazi, nuk po e dëgjoj djalin tim të më thotë: ‘Mami, jam gjallë’, dhe ai ende figuron si dezertor”.

XS
SM
MD
LG