Ndërlidhjet

Rusia mban stërvitje masive ushtarake


Rusia nisi të hënën stërvitje masive ushtarake në rajonet e saj qendrore dhe lindore. Ministria e Mbrojtjes tha se lojërat e luftës, që do të zgjasin deri më 17 shtator, do të përfshijnë rreth 300,000 trupa – dy herë më shumë se manovrat më të mëdha sovjetike në kohën e Luftës së Ftohtë.

Stërvitjet e koduara si Vostok-2018 dhe të cilësuara nga Moska si më të mëdhatë në dekada ose në histori, vijnë në kohën e tensioneve të larta midis Moskës dhe Perëndimit, ndërsa NATO po i vëzhgon nga afër.

“Lojërat e luftës demonstrojnë përqendrimin e Rusisë në ushtrimin e konfliktit në shkallë të gjerë”, ka thënë zëdhënësi i NATO-s, Dylan White në fund të gushtit.

“Kjo përshtatet me modelin që shohim tash e sa kohë: një Rusi më kategorike, që po rrit ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes dhe praninë e saj ushtarake", ka thënë White.

Stërvitjet do të ndiqen për pak kohë edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Në to marrin pjesë edhe ushtarë kinezë dhe mongolianë, pas përpjekjeve të vazhdueshme të Kremlinit për të pasur lidhje më të ngushta me Pekinin dhe kryeqytete të tjera aziatike.

"Kemi marrëdhënie të besueshme [me Kinën] në sferat e politikës, sigurisë dhe mbrojtjes", ka thënë Putin.

Alex Kokcharov, analist rus në kompaninë e vlerësimit të rrezikut HIS Markit, me seli në Londër, tha se Kina kurrë më parë nuk ka marrë pjesë në lojëra të luftës në tokën ruse, të cilat nuk kanë qenë të mbështetura nga Organizata e Bashkëpunimit e Shangait.

“Qëllimi i këtyre ushtrimeve specifike është projektimi i fuqisë ushtarake ruse në rajonin e Azi-Paqësorit”, tha Kokcharov.

“Nëse Rusia nuk do ta ftonte Kinën, një gjë e tillë do të konsiderohej nga Pekini si aktivitet potencialisht i rrezikshëm i Rusisë”, tha ai.

Zyrtarët rusë kanë thënë se lojërat e luftës nuk kanë qëllim kërcënimin e ndonjë vendi të caktuar.

“Aftësia e Rusisë për të mbrojtur veten në situatën aktuale ndërkombëtare, e cila shpesh është agresive dhe jomiqësore për vendin tonë, është e justifikuar, esenciale dhe pa alternativë", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar rëndë nga veprimet e Moskës në Ukrainë dhe Siri, si dhe nga ndërhyrja e saj e dyshuar në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.

Stërvitjet Vostok-2018 përfshijë më shumë se 1,000 avionë, helikopterë dhe dronë, rreth 80 anije luftarake dhe logjistike, rreth 36,000 tanke, transportues të blinduar të personelit dhe automjete të tjera.

Moska ka rritur numrin e ushtrimeve ushtarake në shkallë të gjerë në Kaukaz, Baltik dhe Arktik në vitet e fundit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG