Ndërlidhjet

Rusia mohon mundësinë e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e ka në plan të shpallë një mobilizim të përgjithshëm të ushtrisë ruse gjatë fjalimit të tij javën e ardhshme në atë që njihet si “Dita e Fitores”, tha Kremlini të mërkurën më 4 prill.

"Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është e pakuptimtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov duke ju përgjigjur raportimeve të mediave perëndimore se Putini mund të përdorë rastin për të shpallur mobilizimin masiv të rezervistëve, njofton agjencia e lajmeve Interfax.

I pyetur nëse Putini mund t’i shpallte luftë të plotë Ukrainës gjatë fjalimit të tij të hënën ( 9 maj), Peskov u përgjigj: “Jo. Kjo është e pakuptimtë”.

Që kur sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës filloi në fund të shkurtit, Kremlini i është referuar gjithmonë fushatës ushtarake si “operacion special” por jo luftë, raporton agjencia e lajmeve dpa.

Fjalimi i Putinit në Moskë do të ndiqet me më shumë vëmendje këtë vit për shkak se pritet që të kuptohet drejtimi në të cilin po shkon lufta në Ukrainë.

Disa media kanë raportuar se udhëheqësi i Kremlinit mund të shpallë një mobilizim të përgjithshëm të ushtarëve dhe rezervistëve në përpjekje për t'i dhënë një vrull të ri luftës në Ukrainë.

Rusia feston çdo 9 maj për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në vitin 1945 mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe është e zakonshme që Moska të shfaqë pajisjet e saj më të reja ushtarake.

Rusia do të ekspozojë disa nga armët e saj të reja në paradën e Moskës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

XS
SM
MD
LG