Teksa Ukraina po godet rafineritë e Rusisë dhe mungesa e karburanteve po përkeqësohet në të gjithë vendin, Moska tani po kthen sytë nga vendet e tjera për të përpunuar naftën e saj.
Kievi ka nxjerrë jashtë funksionit dhjetëra rafineri nafte në Rusi me sulme me dronë që ka kryer gjatë muajve të fundit, me synimin që të pengojë aftësinë e Moskës për të financuar dhe mbështetur luftën e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës, të nisur më 2022.
Rusia veçse ka ndalur eksportet për të frenuar krizën me karburante dhe ka vendosur masa për racionim. Tani, Moska ka arritur një marrëveshje me një rafineri të vogël private në Kazakistan për të përdorur ndërtesat e saj.
Por, ekspertët thonë se kjo lëvizje nuk ka gjasa të zgjidhë mungesën e rëndë me karburante në Rusi, teksa Moska është kundërpërgjigjur duke shënjestruar ndërtesa energjetike të Ukrainës.
Ministri kazak i Energjisë, Yerlan Akkenzhenov, tha më 25 gusht se rafineria Kondensat në Kazakistanin perëndimor do të përpunojë naftë bruto ruse, ndërsa rreth 70 për qind e saj do të dërgohet sërish në Rusi.
Rusia, një shtet me 143 milionë banorë, konsumon deri në 120.000 tonë metrikë benzinë në ditë gjatë muajve të verës, sipas një vlerësimi të Reuters. Por, rafineria Kondensat mund të prodhojë vetëm deri në 200.000 tonë metrikë benzinë në vit, duke mbuluar rreth 0.3 për qind të kërkesës ditore të Rusisë për benzinë.
John Roberts, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Atlantikut, një institut me bazë në Uashington, tha se përballë mungesës së rëndë me karburante, edhe furnizimet më të vogla shtesë me benzinë dhe naftë mund ta ndihmojnë Rusinë.
Kjo përfshin edhe vijën e frontit, ku mungesa e karburanteve ka ushtruar presion mbi operacionet ushtarake të Rusisë.
“Është e mundur që kjo të jetë thjesht për shkak të një dëshpërimi të madh nga ana e Rusisë”, tha ai. “Mungesa e karburanteve, e benzinës dhe e naftës është e madhe. Kjo ndihmon, por nuk e zgjidh problemin”.
Video: Kriza me karburante në Rusi
Lidhjet e Kondensat-it me Rusinë
Rafineria Kondensat, e cila prej vitesh ka funksionuar shumë nën kapacitetin e saj, ka pasur edhe më herët lidhje me Rusinë.
Të dhënat e kompanive e lidhin Kondensat-in me Tatneft-in, kompaninë e pestë më të madhe të naftës dhe rafinerinë e tretë më të madhe të Rusisë, përmes Osprey Investment. Osprey është aksionare në kompaninë kryesore aksionare të Kondensat-it, Birinshi Shina Kompaniyasy, dhe më parë ishte bashkëpronare e Mining Development Company me kompaninë turke të shpërndarjes së karburantit Aytemiz. Tatneft e bleu Aytemiz-in në vitin 2023.
Në vitin 2024, Kondensat nisi të përpunonte naftë ruse, të furnizuar përmes rafinerisë TANECO të Tatneft-it, në rajonin e Tatarstanit. Më vonë atë vit, Kazakistani dhe Rusia ranë dakord që Kondensat të eksportonte në Rusi benzinën e prodhuar nga nafta ruse. Kjo marrëveshje u rinovua në vitin 2025.
Pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj Tatneft-it në vitin 2025, kompania e naftës transferoi të gjithë aksionet e saj në Aytemiz te TNCI Holding, një kompani investimesh e kontrolluar nga Qeveria e rajonit rus të Tatarstanit.
Ky ndryshim hoqi lidhjen e drejtpërdrejtë të Tatneft-it me Aytemiz dhe rrjedhimisht, lidhjen mes Tatneft-it dhe Kondensat-it përmes interesave të përbashkëta të pronësisë së Osprey.
Sa larg mund ta çojë Rusia modelin e Kondensat?
Teksa Ukraina vazhdon të nxjerrë jashtë funksionit rafineritë ruse, ekspertët thonë se Moska ka të ngjarë të kthejë sytë nga më shumë objekte në Azinë Qendrore. Rusia është një fuqi e rëndësishme politike dhe ekonomike në këtë rajon të pasur me burime të energjisë, i cili dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.
“Veçanërisht do të përpiqen të ushtrojnë presion ndaj Kazakistanit dhe më pas Uzbekistanit, për t’u siguruar atyre sa më shumë benzinë dhe naftë që të jetë e mundur”, tha Roberts i Këshillit Atlantik.
Hennadii Ryabtsev, analist ukrainas i energjisë, tha se në Azinë Qendrore nuk ka kapacitete të tepërta dhe se rajoni është “i paaftë të ndikojë në mënyrë të madhe në situatën në Rusi”.
“E njëjta gjë vlen edhe për Kazakistanin, Kirgizinë, Indinë, Kinën dhe Bjellorusinë, sepse për tregun rus këto janë pika uji në oqean”, tha ai për Schemes, njësinë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Qeveritë e Azisë Qendrore gjithashtu ka të ngjarë të jenë të kujdesshme për t’u shndërruar në furnizuese të energjisë të Rusisë gjatë luftës, e cila është përballur me sanksione të ashpra perëndimore për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
“Ata duhet të mendojnë: Çfarë ndikimi do të ketë kjo në tregtinë e tyre me pjesën tjetër të botës? Ata nuk duan të përfundojnë nën sanksione. Por, ndoshta pika më e rëndësishme është se, pavarësisht nëse sanksionet janë të drejtpërdrejta apo jo, kjo do të godasë investimet e huaja që marrin nga vende të tjera përveç Rusisë”, tha Roberts.
Vladyslav Vlasiuk, komisionari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për politikën e sanksioneve, tha se Kievi nuk mendon se “Rusia do të ketë një varg furnizuesish të gatshëm të produkteve të naftës, sepse të gjithë e kuptojnë se kjo ka të bëjë kryesisht me nevojat ushtarake”.
“Kjo po ashtu ndikohet edhe nga mundësia e vendosjes së sanksioneve ndaj atyre që ndihmojnë Rusinë, raste të tilla veçse kanë ndodhur”, tha ai për Schemes.