Ndërlidhjet

Ukraina: I rremë pretendimi se Rusia e ka penguar ofensivën ukrainase


Luftëtarë ukrainas në rajonin e Donjeckut. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Luftëtarë ukrainas në rajonin e Donjeckut. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se e ka penguar një ofensivë masive ukrainase në Donjeck.

Ajo ka pretenduar se i ka vrarë 250 trupa ushtarake ukrainase, dhe se ka shkatërruar pajisje të armatosura.

Ushtria ukrainase i ka hedhur poshtë këto pretendime.

“Me qëllim të demoralizimit të ukrainasve dhe keqinformimit të publikut, përfshirë edhe publikun e tyre, propagandistët rusë janë duke përhapur lajme të rreme për kundërofensivë, për drejtimet e saj dhe humbjet e ushtrisë ruse, edhe pse nuk ka ndodhur asnjë kundërsulm”, ka thënë ushtria ukrainase përmes një deklarate.

Në të është thënë se Rusia ka përdorur pamje të vjetra “si dhe materiale të rreme” për të shpërfaqur kinse ka ndodhur kundërofensiva ukrainas.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar deklaratat në mënyrë të pavarur.

Për kundërofensivën ukrainase flitet shumë në muajt e fundit, dhe Kievi ka thënë se nuk do të japë paralajmërim për nisje të saj.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Ukraina e ka nisur “ofensivën e shkallës së gjerë” në rajonin e Donjeckut, duke i përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh.

Ajo ka pretenduar se ukrainasit kanë tentuar të depërtojnë në mbrojtjen ruse, por se, sipas ministrisë, “nuk ka pasur sukses”.

Moska ka pretenduar se Ukraina i ka humbur 250 trupa ushtarake dhe 16 tanke.

Në deklaratë është thënë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, personalisht, e ka mbikëqyrur mbrojtjen ruse.

Gjenerali i forcave tokësore i ushtrisë ukrainase, ka thënë më 5 qershor se, forcat ukrainase janë duke avancuar në Bahmut, qytetin për të cilin palët luftojnë me muaj.

Por, ai nuk ka përmendur kundërofensivë.

Ukraina është duke u përgatitur që disa muaj për kundërofensivë.

Mirëpo, ajo ka kërkuar sa më shumë kohë që mundet për t’i trajnuar ushtarët dhe për të marrë ndihmën e ofruar nga aleatët perëndimorë.

Zyrtarët në Kiev kanë paralajmëruar kundër spekulimeve publike për ofensivën, duke thënë se diçka e tillë do t’i ndihmojë armikut.

“Planet e duan qetësinë. Nuk do të ketë njoftim për nisje”, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes, të dielën.

Rëndësia e kundërofensivës është e madhe, pasi Qeveria në Kiev duhet t’ia dëshmojë popullit të Ukrainës – por edhe Perëndimit – që mund t’i thyejë linjat ruse dhe t’i rikthejë territoret e pushtuara.

Ndaras, ushtria ukrainase ka raportuar për luftime të ashpra në lindje dhe jug të Ukrainës, brenda 24 orëve të fundit.

Ushtria ukrainase ka thënë se e ka penguar një tentim të Rusisë për të infiltruar “një grup sabotuesish” në rajonin e Harkivit.

Ndërkohë, luftëtarët që e kundërshtojnë Qeverinë në Moskë, kanë thënë se i kanë zënë disa ushtarë rusë në Belgorod, afër kufirit me Ukrainën.

Ky pretendim është bërë nga Legjioni i Lirisë së Rusisë, bashkë me Trupat Vullnetare ruse.

Të dyja grupet kërkojnë rrëzimin e presidentit rus, Vladimir Putin nga pushteti.

Ato e kundërshtojnë luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG