Ndërlidhjet

Moskës “nuk i ngutet” që ta njohë qeverinë e talibanëve


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha të martën se Moska “nuk po ngutet” që ta njohë qeverinë e re të talibanëve në Afgaganistan dhe bëri thirrje për dialog gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike në vend.

Kryediplomati rus, Lavrov tha se Rusia është “si të gjitha shtetet e tjera” dhe nuk “po na ngutet që ta njohim” qeverinë e talibanvëve. Lavrov vuri në pah edhe “sinjalet inkurajuese nga talibanët, që po deklarojnë dëshirën që të kenë një qeveri me pjesëmarrjen e forcave të tjera politike”.

Komentet e tij vijnë teksa talibanët në Kabul shpallën “amnisti” në mbarë Afganistanin dhe u bën thirrje grave që t’i bashkohen qeverisë së tyre, transmeton Associtated Press.

Lavrov tha po ashtu se Moska mbështet “nisjen e një dialogu kombëtar, gjithëpërfshirës, ku do të merrnin pjesë të gjitha forcat politike dhe fetare të Afganistanit”.

Rusia më 2003 e ka njohur grupin taliban si grup terrorist, por që atëherë ka mbajtur një sërë raunde bisedimesh në Afganistan. Bisedimet e fundit u mbajtën në mars, ku u përfshin edhe talibanët.

Talibanët, më 15 gusht, pasi morën kontrollin e Kabulit, kanë deklaruar se kanë nën kontrollin e plotë të Afganistanit. Presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti, në kohën kur talibanët arritën në Kabul.

XS
SM
MD
LG