Ndërlidhjet

Rusia sanksionon edhe 25 shtetas amerikanë


Flamuri amerikan (djathtas) dhe ai rus.
Flamuri amerikan (djathtas) dhe ai rus.

Rusia ka shtuar 25 shtetas tjerë amerikanë në listën e sanksioneve, duke përfshirë aktorët e Hollywood-it, Sean Penn dhe Ben Stiller.

Tensionet mes Moskës dhe Perëndimit sa shkojnë e rriten pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ministria e Jashtme në Moskë ka thënë përmes një deklarate më 5 shtator se ky vendim është marrë si përgjigje ndaj “sanksioneve të Perëndimit kundër shtetasve rusë”.

Në listën e sanksioneve të Rusisë përfshihen anëtarë të Kongresit amerikan, figura zyrtare, përfaqësues të grupeve biznesore dhe të instituteve tjera.

Aty përfshihen edhe aktorët Stiller dhe Penn, të cilët kanë kritikuar ashpër luftën e Moskës në Ukrainë.

Penn ka qenë në Ukrainë për të incizuar një dokumentar kur ka nisur lufta më 24 shkurt, si dhe ka vizituar rajonet Buça dhe Irpin, zonat ku kanë ndodhur mizoritë kundër civilëve nga forcat ruse.

Moska ka hedhur poshtë akuzat e ka shënjestruar civilët, pavarësisht të dhënave ekzistuese.

Stiller madje ka takuar edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy në Kiev, duke e quajtur atë “hero”.

Deri më tani, Rusia ka sanksionuar 1.073 shtetas amerikanë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtetet tjera, kanë goditur Rusinë me sanksione të ashpra, prej shpërthimit të luftës.

Moska është kundërpërgjigjur me masa të njëjta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

XS
SM
MD
LG