Një total prej 31 dronësh janë nisur nga Rusia drejt territorit ukrainas natën e mbrëmshme, por 30 prej tyre janë rrëzuar, ka thënë të shtunën ushtria ukrainase.
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, ka qenë në mesin e qyteteve të shënjestruara.
Komandanti rajonal ushtarak, Serhiy Popko, ka thënë se nuk ka raportime për të plagosur, pas rrëzimit të copëzave të raketave.
Forcat e rraskapitura të Ukrainës luftojnë pranë Bahmutit teksa dimri po afrohet
Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se forcat e armatosura të Ukrainës kanë humbur 10.000 dronë në muaj, kryesisht për shkak të bllokimit rus.
Dronët janë bërë një element jetik në luftën e Kievit kundër forcave të Moskës, duke mundësuar zbulim në kohë reale, si dhe aftësinë për të hedhur eksplozivë me rezultate vdekjeprurëse.
Rusia dhe Ukraina po pozicionojnë mijëra dronë mbi fushën e betejës.
Sipas një zyrtari të lartë ushtarak ukrainas, ushtarët dhe tanket që operojnë në ambient të hapur kanë vetëm disa minuta para se të shënjestrohen për shkak të sasisë së madhe të dronëve që patrullojnë mbi fushën e betejës.
"Sot, një kolonë tankesh ose një kolonë trupash në lëvizje, mund të zbulohet në tre deri në pesë minuta dhe të goditet në tre minutat e tjerë", tha për Wall Street Journal, gjeneralmajor Vadym Skibitsky, zëvendëskomandant i shërbimit të inteligjencës ushtarake HUR të Ukrainës.
Rusia e ka rritur së fundi shkallën e sulmeve ajrore mbi Ukrainë, duke nisur dronë dhe raketa balistike.
Në dimrin e vitit të kaluar, sulmet kanë pasur shënjestër sidomos infrastrukturën e energjisë.
Dronët, të cilët janë të mbushur me lëndë shpërthyese, janë kryesisht të prodhuar prej Irant.
Mirëpo, sistemet raketore për mbrojtje, të cilat i janë dorëzuar Ukrainës nga vendet aleate, janë duke e bërë punën e tyre, duke e mbrojtur Ukrainën prej shumicës së sulmeve të tilla.
Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.