Ndërlidhjet

Rusia thotë se po e “vëzhgon nga afër” gjendjen në veri të Kosovës


Policia e Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit në veri të Kosovës, 25 shtator 2023.
Policia e Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit në veri të Kosovës, 25 shtator 2023.

Kremlini ka thënë të hënën se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e dënoi sulmin vdekjeprurës të personave të maskuar ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan një ditë më parë.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi është përkrahëse tradicionale e Serbisë, me të cilën ka lidhje të ngushta kulturore dhe fetare.

“Gjendja është tejet e vështirë. Në Kosovë, ne e shohim një qasje tradicionalisht të anshme ndaj serbëve... gjendja është shumë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të rregullt për media të hënën.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator.

Një polic e tre sulmues të vrarë në veri të Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe tani është duke e siguruar fshatin.

Të hënën më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.

Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG