Muajin e kaluar, në Rizajn, një qytet i vogël në juglindje të Moskës, filiali vendës i televizionit shtetëror, Rossia TV, organizoi një debat televiziv për gjashtë kandidatë politikë nga ky qytet. Të gjithë garonin për vende në dhomën e ulët të Parlamentit të Rusisë, Dumën Shtetërore, në zgjedhjet e ardhshme që nisin më vonë gjatë kësaj jave.
Askush nuk mori pjesë.
Televizioni provoi sërish të nesërmen.
Prapë askush nuk u paraqit.
Ngjarja në Rizajn është një tregues i vogël për gjendjen shpirtërore kombëtare në Rusi, vendin i cili mban zgjedhjet e para kombëtare parlamentare qëkurse e nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022. Ky pushtim ka vrarë ose plagosur më shumë se 1.5 milionë ushtarë rusë dhe e ka vënë vendin në rrugë drejt një regjimi autoritar të shtetit policor.
Ka pak iluzione për Dumën Shtetërore me 450 vende, e cila prej vitesh nuk është forum për hartim të mirëfilltë demokratik të ligjeve, sepse presidenti Vladimir Putin dhe administrata e tij e kanë shndërruar atë në një legjislaturë që miraton mekanikisht vendimet e pushtetit.
Atëherë, pse duhet të zhvillohen zgjedhje parlamentare? Dhe, çfarë do të na tregojë ky proces për Rusinë dhe luftën në Ukrainë?
Ja pesë gjëra që duhet të dini në prag të tri ditëve të votimit, që nis më 18 shtator.
Demokracia “sovrane” në kohë lufte
Ky nuk është votimi i parë mbarëkombëtar që Rusia zhvillon që nga pushtimi i shkurtit 2022.
Putin, i cili ka qenë figura kryesore politike e vendit që nga viti 1999, fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një rezultat bindes, përballë tre kandidatëve nga parti që nominalisht janë në opozitë, por kryesisht i bëjnë lojën Kremlinit.
Para votimit, askush nuk dyshonte për rezultatin.
Megjithatë, të fshehur pas shifrave të votimit ishin tregues të tjerë që ndiqeshin nga afër, veçanërisht nga Administrata Presidenciale, një grup i fuqishëm brenda Kremlinit, që është ngarkuar me sigurimin që sistemi i brendshëm politik të ruajë një fasadë legjitimiteti.
Pjesëmarrja, për shembull.
Pjesëmarrja e ulët nënkupton një elektorat apatik dhe apatia është e rrezikshme për legjitimitetin e Kremlinit dhe të sistemit politik.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për Kremlinin, sepse ofrojnë një mënyrë për ta legjitimuar nominalisht regjimin dhe luftën që ai po zhvillon kundër Ukrainës, duke treguar se publiku vazhdon ta mbështesë kursin e militarizuar politik të Kremlinit”, tha Natalya Kovaleva, studiuese në Programin për Rusinë dhe Euroazinë në Chatham House, një institut kërkimor me seli në Londër.
“Kremlini është përpjekur të gjejë një ekuilibër të vështirë mes mobilizimit të mbështetjes publike për përpjekjet e luftës dhe shmangies së një zgjedhjeje që mund të nxirrte në pah pakënaqësinë në rritje ose lodhjen nga lufta”, tha ajo për REL-in.
Mobilizim, vallë?
Pyetja e pathënë që qëndron mbi votimin është: Pas tij, a do të ketë një tjetër thirrje mbarëkombëtare të burrave për të luftuar në Ukrainë?
Kur Putini urdhëroi mobilizimin e fundit, në shtator të vitit 2022, rreth 300.000 burra, kryesisht rezervistë, ai tronditi vendin. Qindra mijëra njerëz u larguan nga Rusia.
Katër vjet më vonë, forcat ruse vazhdojnë të pësojnë humbje marramendëse. Një zyrtar i lartë ushtarak britanik tha javën e kaluar se të paktën 500.000 ushtarë janë vrarë. Vlerësime të tjera thonë se të paktën 1 milion të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre pa asnjë mundësi për t’u rikthyer në fushën e betejës.
Rekrutuesit ushtarakë kanë arritur ta mbajnë të qëndrueshëm fluksin e vullnetarëve që shkojnë në vijat e frontit, kryesisht përmes pagave dhe përfitimeve jashtëzakonisht të larta; në disa raste, shuma e paguar tejkalon pagën e një viti të tërë. Përfitimet e paguara për vejushat dhe familjarët e ushtarëve të vrarë në luftime janë gjithashtu të konsiderueshme.
Por, paratë kanë zbrazur arkat në shumë rajone, duke shkaktuar probleme financiare për qeveritë lokale. Kjo ka çuar në ngadalësimin e numrit të rekrutëve mujorë, edhe pse sulmet ukrainase vazhdojnë të shkaktojnë humbje të mëdha në radhët e forcave ruse.
Muajt e fundit janë shtuar thashethemet se Putini mund të kërkojë ta përshkallëzojë luftën, dhe të urdhërojë një mobilizim të ri diku pas zgjedhjeve për Dumën.
“Deri më sot, nuk ka asnjë skenar që do të kërkonte mobilizim”, tha Putini në fillim të këtij muaji gjatë një forumi investimesh në Vladivostok.
“Deri më sot” është shprehja kyçe.
“Zgjedhjet, për aq sa mund ta shoh, janë një kombinim i një plebishiti kombëtar për luftën dhe politikën e Kremlinit”, tha Aleksandr Kolyandr, drejtor në Eurasia Group dhe bashkëpunëtor në Qendrën Evropiane për Politika dhe Analiza, një institut me bazë në Uashington.
“Nga ana tjetër, ato janë një paradë kombëtare e burokracisë: deri në çfarë mase mund ta ruajë burokracia këtë minimum normaliteti, deri në çfarë mase burokracia – dhe me këtë nënkuptoj burokracinë më të gjerë, nga guvernatorët lokalë te mësuesit e shkollave – mund të sigurojë që gjithçka do të shkojë mirë”, tha ai gjatë një diskutimi në tryezë të rrumbullakët javën e kaluar.
Veteranët në garën zgjedhore
Këto janë zgjedhja e para kombëtare në të cilat një numër i konsiderueshëm veteranësh të luftës po garojnë për poste publike.
Kremlini ka ndërtuar një bazë mbështetjeje pjesërisht mbi përfitimet e mëdha ekonomike që u ofrohen burrave të cilët janë regjistruar vullnetarisht për të luftuar.
Ndërkohë, qindra mijëra burra kanë shërbyer dhe kanë mbijetuar në Ukrainë. Ata janë kthyer në shtëpi, të kalitur nga lufta dhe të mësuar me vlerësime e lavdërime, si dhe me dëmshpërblime të mëdha. Disa prej tyre ishin kriminelë të dhunshëm që u liruan nga burgjet për të luftuar.
Dy vjet më parë, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të parë Sergei Kiriyenko, Administrata Presidenciale nisi një program të quajtur “Koha e Heronjve”, i cili synonte identifikimin e veteranëve dhe trajnimin e tyre për shërbim publik – si nëpunës ose administratorë – ose si kandidatë politikë.
Putini i ka cilësuar veteranët si “elita e re” e Rusisë.
Rezultatet e “Kohës së Heronjve” kanë qenë të përziera.
Megjithatë, të paktën 200 veteranë janë kualifikuar për të qenë në fletëvotimet e zgjedhjeve për Dumën; rreth 1.400 të tjerë janë lejuar të garojnë për poste politike në zgjedhjet rajonale dhe lokale.
Një tjetër çështje që shqetëson Kremlinin sa u përket veteranëve është ajo që ndodhi pas pushtimit sovjetik të Afganistanit, kur mijëra ushtarë të liruar nga shërbimi u kthyen në shtëpi dhe shkaktuan probleme të mëdha sociale, ndërsa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej.
“Ata që numërojnë votat vendosin gjithçka”
Zgjedhjet ruse kanë qenë prej vitesh nën një vëzhgim të hollësishëm.
Në të kaluarën, vëzhgues të pavarur të zgjedhjeve kanë dokumentuar dhjetëra raste ku rezultatet e votave dukeshin se ishin manipuluar në favor të një rezultati të caktuar.
Ka edhe forma të tjera manipulimi zgjedhor: për shembull, votimi me “autobusë” – ku votuesit transportohen me autobusë nga një qendër votimi në tjetrën për të hedhur disa fletëvotime – ose, për shembull, ryshfetet apo presioni ndaj punonjësve të sektorit publik për të votuar për një kandidat të caktuar.
Sot, megjithatë, nuk ka vëzhgues të pavarur.
Një nga grupet më të njohura ruse, Golos, është shpallur i jashtëligjshëm nga autoritetet. Organizata të huaja si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ose grupe të lidhura me parti politike evropiane apo amerikane, janë ndaluar prej vitesh.
Edhe grupe të tjera – si organizata politike e themeluar nga i ndjeri Aleksei Navalny, një figurë e njohur kundër korrupsionit – janë shpallur të jashtëligjshme ose janë dëbuar plotësisht nga vendi.
“Ka rajone, sigurisht, ku ata do të marrin çfarëdo rezultati që duan, pa ndonjë kundërshtim të veçantë”, tha Stanislav Andreichuk, ish-bashkëkryetar i Golos, për Current Time.
“Dhe pastaj ka rajone ku nuk do të jenë në gjendje të marrin atë që duan; nuk do të ketë as ekip [kandidatësh] për ta bërë këtë”, shtoi ai.
“Është e qartë se autoritetet, sigurisht, kanë çdo mundësi për t’i manipuluar zgjedhjet për të arritur rezultatin e dëshiruar”, tha analisti politik Ruslan Aisin.
Megjithëse sondazhet e opinionit publik janë të vështira, disa anketime kanë gjetur një rënie të dukshme të mbështetjes për luftën – si dhe një rënie të dukshme të mbështetjes për vetë Putinin.
Megjithëse Putini nuk është drejtpërdrejt në fletëvotimin për Dumën, ai ka bërë fushatë për partinë në pushtet, Rusia e Bashkuar, e cila, pavarësisht jopopullaritetit të gjerë, pritet të vazhdojë të dominojë Dumën.
Po opozita?
Sipas “demokracisë sovrane” të Rusisë – një variant i konceptit të “demokracisë së menaxhuar” – partive opozitare u lejohet të marrin pjesë në politikën zgjedhore, por vetëm nëse autorizohen nga Qeveria.
Rezultati është një sajesë përmes së cilës partitë e “opozitës sistemike”, si Partia Komuniste, shprehin formalisht kundërshtimin ndaj Qeverisë, por në realitet përfundojnë duke votuar për legjislacionin e Qeverisë.
Pastaj është Yabloko, një parti që prej kohësh ka qenë bartëse e flamurit të liberalizmit. Megjithëse partia nuk ka pasur përfaqësim në Dumë që nga mesi i viteve 2000, ajo prapëseprapë shërbente si një valvul shkarkimi për shoqërinë ruse. Rusët që kundërshtonin luftën, për shembull, mund ta shprehnin mospajtimin e tyre duke votuar për Yabloko.
Kësaj here, megjithatë, autoritetet nuk rrezikuan fare. Muajin e kaluar, një gjykatë në Moskë ia ndaloi partisë të merrte pjesë në zgjedhjet për Dumën, duke iu referuar një sërë ankesash të pakuptimta ligjore.
“Ne e kuptojmë se vetë Yabloko përfaqëson një numër relativisht të vogël votuesish, por agjenda e saj bashkon një numër të madh njerëzish”, tha për Shërbimin rus të REL-it Andrei Pivovarov, një aktivist politik që u burgos për aktivitetin e tij opozitar.
“Ndoshta ata as nuk kishin dëgjuar më parë për Yablokon, ose nuk e mbështesnin vetë organizatën, por platforma e saj ‘Për Paqen’ është shumë e kërkuar”, sipas tij.
“Yabloko është e vetmja parti që kundërshton luftën. Është e vetmja parti rreth së cilës janë bashkuar praktikisht të gjitha forcat opozitare”, tha ai.
Që atëherë, disa rajone kanë ndjekur të njëjtin shembull dhe e kanë ndaluar partinë të paraqesë kandidatë edhe në zgjedhjet lokale.
Autoritetet u vunë gjithashtu pas një kandidati tjetër të pavarur, Boris Nadezhdin, i cili u përpoq ta sfidonte Putinin dy vjet më parë me një platformë kundër luftës dhe synoi të bënte të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e këtij viti për Dumën.
Gjatë verës, autoritetet për zbatimin e ligjit e penguan këtë përpjekje përmes një sërë masash penale kundër tij. Muajin e kaluar, ai u largua nga Rusia dhe tani jeton në Francë.
Organizatat politike të ashtuquajtura “josistemike” përfshijnë grupin e të ndjerit Aleksei Navalny, kundërshtar i Putinit. E veja e tij, Yulia Navalnaya, e ka marrë përsipër këtë rol, ashtu si edhe figura të tjera të njohura të opozitës ruse, të cilat tani jetojnë në mërgim jashtë vendit.
Më 14 shtator, Navalnaya dhe një tjetër figurë e opozitës, Maksim Kats, publikuan një listë kandidatësh që ata i mbështesin për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj luftës kundër Ukrainës.